Lajmet e fundit

Korrupsioni e mposhtë Kosovën në Këshill të Europës

keshilli i beAsambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka miratuar një rezolutë për Kosovën të bazuar në raportin e deputetit spanjoll Agustin Conde. Kosovës i kërkohet që ta luftojë korrupsionin e përhapur e që po dëmton jetën e njerëzve. Ndërkohë sa i përket bashkëpunimit me Kuvendin e Kosovës, tani e tutje Këshilli i Europës kërkon që të ketë përfaqësim edhe të deputetëve nga ana e komuniteteve.
“Sigurimi i respektit për funksionimin e ligjit dhe çrrënjosja e korrupsionit” duhet të jenë prioritet për autoritetet kosovare, thuhet në rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (PACE), e miratuar pas debatit të sesionit të sotëm plenar. “Përhapja endemike e korrupsionit” në të gjitha aspektet qeveritare, në drejtësi dhe në ekonomi, ndikon negativisht në jetën e qytetarët të Kosovës, thonë parlamentarët.
Rezoluta, e cila është adoptuar në bazë të raportit të Agustin Conte, thekson në veçanti progresin e arritur në Kosovë në aspektin e demokracisë, me organizimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014, si dhe mirëpret adoptimin e amendamenteve kushtetuese të cilat i hapën rrugë krijimit të Dhomave Speciale.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, PACE, megjithatë ndjen keqardhje që puna e Kuvendit të Kosovës është pezulluar për shkak të një bllokade të vazhdueshme, duke vënë kështu në pah edhe mungesën e vullnetit të forcave politike për të zhvilluar dialog konstruktiv. Rezulota gjithashtu dënon edhe një seri veprimesh që kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës, veprime këto që kanë ndikuar në rënien e besueshmërisë së qytetarëve në institucionet demokratike.
Duke përshëndetur mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe marrëdhëniet ndër-komuniteteve, PACE bën thirrje që autoritetet të jenë më vigjilente dhe të “dënojnë të gjitha sulmet të cilat kryhen me motive etnike” si dhe të “tregojnë përgjegjësi në diskursin publik” në mënyrë që të qetësojnë tensionet.
PACE më tutje u bënë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të vazhdojnë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimin Europian, me qëllim normalizimin e raporteve mes të dyja vendeve. Perspektiva europiane për të dyja vendet, Beogradin dhe Prishtinës si dhe forcimi i standardeve “janë të një rëndësie madhore për demokracinë në Kosovë ashtu si edhe për stabilitetin e vendeve të Ballkanit perëndimor në përgjithësi”, kanë thënë deputetët.
Në fund, PACE rekomandon që të modifikohet formati aktual i bashkëpunimit mes Zyrës së saj dhe Kuvendit të Kosovës, “në mënyrë që të sigurohet që në delegacionin e saj të ketë përfaqësues nga minoritetet, përveç shumicës dhe opozitës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.