Lajmet e fundit

Korrupsioni në Kosovë në rritje, luftimi i tij ka stagnuar qysh moti!

Korrupsioni vazhdon të perceptohet si një ndër problemet kryesore në Kosovë dhe fjalët për luftimin e korrupsionit nuk munguan asnjëherë, por mungoi vullneti politik dhe rezultatet konkrete munguan përherë.

Kosova ka një mori dokumentesh të hartuara dhe një mori trupash të formuara për luftimin e korrupsionit, por shumë pak rezultate konkrete në zvogëlimin e korrupsionit. Pra luftimi i korrupsionit në Kosovë mbetet prioritet absolut i shpallur në letër nga të gjitha institucionet relevante që kanë për mandat parandalimin dhe luftimin e korrupsion, duke filluar nga Strategjia Kundër Korrupsionit dhe disa ligje, që i ka miratuar Kuvendi i Kosovës.

Kosovës i duhet betejë e vërtetë kundër korrupsionit e jo fjalë boshe është vlerësimi më i shpeshtë që dëgjohen sa herë flitet për korrupsionin dhe luftën kundër tij.

Edhe Raporti i Progresit për Kosovën i Komisionit Evropian vitin 2015, i cili u publikua të martën, ka konstatuar se nuk po luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar, ndërsa ka shprehur shqetësim se sistemi i drejtësisë, i cili konsiderohet si themel i një shteti, është i ndikuar nga politika, prandaj nuk ka luftim të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sistemit gjyqësor i mungon llogaridhënia, ndërsa themelimi i Task-Forcës Antikorrupsion, si dhe i disa këshillave e asociacioneve që merren me luftimin e korrupsionit nuk kanë dhënë rezultatet e pritura.

Një nismë për luftimin e korrupsionit e kishte marrë edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila me 14 shkurt të vitit 2012 pati themeluar Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi me qëllim bashkërendimit të punës dhe aktiviteteve të institucioneve e agjencive, në kuadër të kompetencave dhe të fushëveprimit të tyre, për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

Ndonëse synimet e këtij këshilli ishin të ndërtojë politika për luftimin efikas të korrupsionit, analistë dhe njohës të kësaj fushe thonë se një nismë e tillë e presidentes Jahjaga nuk pati efekt. Madje lidhur me funksionin e këtij këshilli nuk munguan edhe vlerësimet ironike, si ai i ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili këtë këshill e quajti si një OJQ javën e kaluar gjatë prezantimit të raportit “Vlerësimi i sistemit të integritetit kombëtar në Kosovë”.

Politikologu Behlul Beqaj thotë për KosovaLive se natyra e këtij pushteti është në kundërshtim me logjikën që e lufton korrupsionin në Kosovë.

Ai konsideron se sa më shumë ka trupa që “luftojnë korrupsionin” aq më pak ka suksese të mirëfillta kundër tij e që sipas tij, kjo është një e vërtetë e kamotshme.

Behlul-Beqaj

“Mbase, mund të flasim për faktin e ndërtimit abuzues të qytetarit më institucionet e pushtetit. Rrjedhimisht, në këtë rënie, totale do të ishte, lajm i mirë sikur lufta kundër korrupsionit të stagnojë në Kosovë. Mjerisht çështja e tejkalon mundësitë individuale, meqë korrupsioni është shndërruar në fenomen, jo vetëm politik, por edhe shoqëror.

Prandaj përgjegjësia nominale ka vetëm peshë simbolike, këtu duhet të ndërtohet një mentalitetet i ri me njerëz që janë të gatshëm për të bërë shkëputje me logjikën e deritanishme ku asnjë qytetar nuk mendon se mund të kryej një punë në bazë të rregullave të përcaktuara formale, por vetëm duke abuzuar me zyrtarët e pushtetit nga gjykatat e deri te mjekimi, nga momenti lindjes deri në varrim”, thekson ai.

Sa i përket luftimit të kësaj dukurie, Beqaj pohon se në Kosovë ka keqkuptime mes pushtetit ekzekutiv dhe atij prokurorial dhe gjyqësor, ndonëse përgjegjësia është e dyanshme.

“Është fakt, se interesat politike janë infiltruar në sistemin gjyqësor, por edhe sistemi gjyqësor ju është vardisur politikës dhe politikanëve. Ky binom duhet të shkojë në histori”, vlerëson Beqaj.

Kreu i Aagjencisë Antikorrupsion, Hasan Preteni, deklaron për KosovaLive se është e pajustifikueshme që lufta kundër korrupsionit kurrsesi nuk po vendoset në krye të listës së prioriteteve.

Sipas tij, askush nuk po e merr guximin që të ndërmerr masa në largimin e atyre qe nuk punojnë dhe se nuk po ka debat të fuqishëm për të gjeturat e këtij raporti.

Hasan-Preteni-640x358

“Në luftën kundër korrupsionit nuk ka progres. Edhe Raporti i Progresit i Komisionit Evropian në mënyrë specifike e vërteton këtë. Vërejtjet në punën e Agjencisë sipas këtij raporti janë shumë minore, problemi është tek hetimi dhe ndëshkimi, nuk hetohen zyrtarët e lartë kështu që nuk mund të ketë as gjykime.

Raporti prej vitit në vit nuk ndryshon dhe askush nuk po e merr guximin që të ndërmerr masa në largimin e atyre që nuk punojnë, nuk po ka as debat të fuqishëm për të gjeturat e këtij raporti. Ju mediat po shkruani disa dite dhe po harrohet, pas disa dite do të del Raporti i Perceptimit të Transparencës Ndërkombëtare edhe aty dy-tri ditë dhe pastaj heshtje mortore”, thotë Preteni.

Fidan Kalaja, nga Lëvizja Fol, deklaron për KosovaLive se sipas të dhënave që ka kjo lëvizje vetëm në nëntëmujorin e parë të këtij janë rreth 3000 lëndë të korrupsionit të pazgjidhura.

“Jo vetëm në Raportin e fundit të Progresit, mirëpo në vazhdimësi në të gjitha raportet tjera vendore e ndërkombëtare është thënë që në Kosovë më së paku ka luftë kundër korrupsionit, përkundrazi niveli i korrupsionit po rritet, ndërsa kemi nivel jashtëzakonisht të ultë të efikasitetit të institucioneve sidomos të atyre të drejtësisë për luftimin e korrupsionit”, thekson Kalaja.

Kalaja thotë se më mirë të jesh një OJQ se sa pjesëtar i një qeverie që sipas tij, prej vitit 2007 e ka thelluar gjendjen e keqe socio-ekonomike në vend dhe ka instaluar krimin në institucione, ndërsa korrupsionin e ka bërë logjikë qeverisëse.

Ai pohon se i vetmi gabim i presidentes Jahjaga është se pse i fton figurat e tilla në mbledhjet e Këshillit Nacional Kundër Korrupsion, pra figurat që mbajnë përgjegjësi direkte pse e kemi nivelin e këtillë të korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.

Fotografi-nga-Konferenca-Fidan-Kalaja1-300x229

“Nuk mund të quhet as ironi, më mirë të konsiderohesh OJQ në Kosovë se sa anëtar i një partie politike e cila keqmenaxhon më shumë se 100 milionë euro nga procedurat e prokurimit, pra më mirë të jesh një OJQ se sa respektues i Kanunit të Lekë Dukagjinit, i cili merr pjesë nëpër oda për të ndarë ‘drejtësi’ në mes familjeve në vend që të ju krijojë kushte atyre familjeve që të merren institucionet e drejtësisë me rastet e tyre, më mirë të jesh një OJQ se sa një i ashtuquajtur zyrtar ku askush nuk i beson për shkak të gënjeshtrave dhe mashtrimeve publike që i bën pothuajse në çdo paraqitje publike”, nënvizon Kalaja.

Sipas tij, Ministria e Drejtësisë ka hartuar ligje në fushën e korrupsionit vetëm për konsum politik ku asnjëri nga ta nuk ka dhënë rezultate konkrete në uljen e nivelit të korrupsionit në Kosovë.

Kalaja vlerëson se e keqja e kësaj është se është bërë në mënyrë të qëllimshme nga ana e ministrit Kuçi dhe partisë së tij për të cilët thotë se vetëm një ligj respektojnë, atë që ju garanton mos luftimin e vetvetes.

Leave a Reply

Your email address will not be published.