Lajmet e fundit

KOSID: Termocentrali “Kosova e Re” rrit çmimin e energjisë për 50%

Ndërtimi i temorcentralit të ri në Kosovë “Kosova e Re”, ka zgjuar shqetësim në mesin e pjesëtarëve të shoqërisë civile dhe ndërtimi i këtij prodhuesi të ri të energjisë elektrike, po cilësohet edhe i panevojshëm por edhe i dëmshëm për Kosovën.

Rinora Gojani, përfaqësuese e organizatës KOSID në intervistën Ballë për Ballë në Klan Kosova, u shpreh se ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”, do të ketë një kosto të lartë për qytetarët e Kosovës dhe se ende nuk është bërë një analizë e detajuar nëse ndërtimi i këtij termocentrali është i domosdoshëm.

“Ne s’kemi bërë si shtet analizë nëse kemi kapacitet për ndërtimin e një termocentrali të ri. Projekti nuk është serioz për shkak se disa herë është ndërruar shifra e kapacitetit prodhues”.

Ajo thotë se në Kosovë ka mundësi për përdorimin e mënyrave alternative për furnizim të bollshëm me energji elektrike dhe se procesi i ndërtimit të termocentralit të ri, është shumë jo transparent si për shoqërinë civile, ashtu edhe për qytetarët.

“Në çoftë se do të investohej në rritjen e efiçiencës dhe përdorimin e burimeve të ripërtëritshme, s’do të kishim fare nevojë për ndërtimin e një termocentrali të ri”.

“Po jepet përshtypja se kjo marrëveshje është lidhur sa për ta mbajtur në aktualitet Kosovën e Re. Marrëveshja e tillë e mirëkuptimit s’ka detyrime dhe obligime dhe ne se kemi parë asnjëherë këtë marrëveshje”.

Duke iu referuar një analize të përpiluar nga organizatat jo qeveritare KOSID dhe INDEP, që operojnë në Kosovë dhe po e ngrenë zërin kundër ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, Gojani thotë se çmimi i energjisë elektrike do të rritet për 50%.

“Nuk dimë asgjë se cila do të jetë teknologjia që do të përdoret në ndërtimin e këtij termocentrali. Ne ende nuk dimë asgjë rreth ndërtimit të këtij termocentrali. Qytetari s’di asgjë rreth ndërtimit të këtij termocentrali. Një termocentral i tillë, thuhet që çmimi i energjisë do të rritet për 50%. Edhe pa termocentral të ri do të jetë 3 herë më i madh se çmimi që kemi”.

Për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, barrën e të cilit proces e ka Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik që ka nën menaxhim edhe sektorin e energjisë në Kosovë, ka lidhur marrëveshje me kompaninë amerikane “Contour Global”, për financimin e 50% të këtij projekti energjetik, ndërsa pjesa tjetër e fondeve do të sigurohet përmes kredive.

Leave a Reply

Your email address will not be published.