Lajmet e fundit
Kosova dëshiron të hyjë në BE, por kërkon edhe përkrahje prej saj

Kosova dëshiron të hyjë në BE, por kërkon edhe përkrahje prej saj

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot komisionerin e BE-së për Politikat e Fqinjësisë dhe Negocim të Zgjerimit, zotëri Johannes Hahn, me të cilin bisedoi për perspektivën evropiane të Kosovës, përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave dhe të MSA-së për Kosovën, migrimin ilegal të qytetarëve të vendit, si dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Republikën e Serbisë, përmes dialogut që po zhvillohet në Bruksel.
Sipas njoftimit për medie, presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për përmbushjen e reformave në agjendën evropiane dhe të përshpejtimit të procesit të integrimit, por tha se Kosova ka nevojë për një përkrahje më të madhe nga BE-ja, posaçërisht në përmbylljen e procesit të MSA-së dhe të liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit. Ajo tha se Kosova duhet të trajtohet nga BE-ja në mënyrë të ngjashme sikurse edhe të gjitha shtetet e tjera, në kuadër të perspektivës evropiane për rajonin.
Presidentja Jahjaga theksoi se prioritet i punës së institucioneve të vendit është vendosja e sundimit të ligjit dhe rendit, zhvillimi ekonomik dhe ulja e shkallës së papunësisë, që do të ndalojë edhe migrimin ilegal, një fenomen që ka prekur Kosovën në muajt e fundit.
Duke folur për dialogun me Republikën e Serbisë, Presidentja Jahjaga theksoi se është me rëndësi rifillimi i tij dhe arritja e marrëveshjes për çështje të drejtësisë, bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës, por tha se dialogu duhet të jetë transparent për qytetarët dhe se të gjitha marrëveshjet e arritura duhet të përmbushen plotësisht.
Komisioneri i BE-së për politikat e fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit, zotëri Johannes Hahn, duke e vlerësuar rolin e Presidentes Jahjaga, theksoi se është me rëndësi për Kosovën ruajtja e stabilitetit dhe angazhimi në thellimin e reformave të brendshme që do të mundësojnë edhe zhvillim ekonomik. Ai tha se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk ka asnjë lidhje me migrimin ilegal dhe theksoi se procesi i vlerësimeve të përmbushjes së kritereve për liberalizim do të vazhdojë. Zotëri Hahn tha se rifillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është me rëndësi të veçantë, sepse kjo do të ndihmojë edhe më shumë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.Expresshan

Leave a Reply

Your email address will not be published.