Shkruan: Hali MORINA
Vlerësimi bardhezi, vazhdon të jetë karakteristikë e përgjithshme e gjykimeve tona, pothuajse për të gjitha çështjet me rëndësi me të cilat ndeshet njeriu i sotëm shqiptar në Kosovë por edhe jashtë saj. Kjo po manifestohet sidomos në politikë, ku tifozllëku, krahinarizmi, mashtrimi e korrupsioni janë alfa dhe omega e rezultateve pushtëtmarrëse e pushtetmbajtëse!
Ky koncept i paluftuar nga askush deri tani, po i krijon rreze të gjëra veprimi, elementit destruktiv dhe egoist në shoqërinë tonë dhe po e stopon aq shume zhvillimin, saqë paradokset janë përditshmëria jonë më e zakonshme! Klasa jonë politike, e verbuar nga etja për pushtet, i ka zënë frymën krejt segmenteve frytdhënëse të shtetit, në vend që t’i jap impulse zhvillimi çdo pore të jetës sonë shoqërore, ekonomike, kulturore e sociale!
Mediat dhe analistët, të ndarë në kampe të ndryshme partiake, vazhdojnë të “reflektojnë” njëanshëm, duke mos i dhënë asnjë lloj zgjidhje teorike problemeve kruciale të zhvillimit demokratik. Ata dhe ato ose anojnë nga pushteti ose nga opozita, por asnjëherë nga e vërteta që qëndron jashtë interesit të tyre të ngushtë! Të “pavarurit”, në vend që të marrin guximin për të goditur me fuqi pengesat reale e për t’i dhënë zgjidhje praktike situatave, përmes ideve të guximshme në kapërcimin e “ngërçit”, ata s’bëjnë gjë tjetër veç thërrasin në ndihmë oportunizmin i cili është edhe më i rrezikshëm, për fillimet shtetndërtuese!
Frika nga vetvetja është tipari kryesor që e karakterizon një shoqëri që vuajti me shekuj peshën e robërisë. Në këtë situatë, s’besoj që ka punë më të rëndësishme për një veprimtar politik, analist, administrator, filozof, ekonomist, jurist, biznesmen, sportist etj., sesa të luftojë këtë frikë dhe krizë mosbesimi, në mënyrë që të kontribuojë sado pak në nxjerrjen në sipërfaqe të mundësive reale për ndryshime të vërteta!
Lehtë është të dihet se sa vështirë e kanë patur njerëzit që janë angazhuar për këtë popull! Kush reagoi kur u vra Bajram Curri, Avni Rrustemi, Luigj Gurakuqi e Hasan Prishtina?! Për Ismajl Qemalin s’deshti të dijë asnjë shqiptar se ku është e si i ka hallet. Fan Nolin e ndoqën si një “tradhtar”! Për drejtuesit e Lidhjes së Prizrenit askujt nuk i interesojë. Shote Galicën e la pa bukë shteti shqiptar i atëhershëm etj.! Në fund vdiqën të gjithë, por në historinë e përbotshme të shqiptarëve dihet se kush mbeti emër i pavdekshëm e kush në plehun e saj!
E çfarë mund të bëjmë që injoranca e fuqishme, e cila na përcolli nëpër shekuj, të mos jetë aq e fuqishme si deri tani dhe cilësia e faktorëve “përgjegjës” të zhvillimit të vendit, të rritet?!
Presioni i vazhdueshëm dhe kundërshtimi demokratik kundër keqqeverisjes dhe dobësive e padrejtësive të përditshme, është njëri nga kushtet themelore në përmirësimin dhe reformimin e krejt godinës së kalbur politike të Kosovës! Kjo gjë sigurisht do të shkaktojë, vetvetiu, rritje të cilësisë e cila pashmangshëm do të determinojë nivelin patriotik të të gjitha shtresave të popullsisë, pra edhe nivelin “nacionalist” te shkrimtarëve, shkencëtareve. E, krijuesit kryesorë janë ata që marrin përsipër drejtimin e shtetit, sepse ata, para se të kërkojnë “fronin”, premtojnë përparimin.
Unë e njoh njërin që nuk i flet familja e një dëshmori, sepse, ky paska ndikuar që ai të shkojë në luftë e të vritet! Pse ndodhe kjo? Sepse politika, si e kaluara ashtu edhe kjo e tashmja, e degjeneroi deri ne fund idenë e sakrificës për Atdhe dhe tani prindit të dëshmorit i duket që ai dha jetën kot. Nga kjo që thamë, del përfundimi se idealizmi i sotëm do të ishte tepër i rëndësishëm për të ardhmen tonë, sidomos në diagnostifikimin e saktë të sëmundjeve dhe shërimit të tyre në mënyrë të suksesshme.
Enveri, sado që kishte shtet të varfër, e kishte edhe pavarësinë ekonomike që ndikoi në rritjen e atëhershme të nacionalizmit. Me mbarimin e kësaj pavarësie (ekonomike), gjithçka u përmbys! Por, të kërkosh sot një nacionalizëm të tillë, kur mungojnë të gjitha komponentat dhe mundësitë historike, për shkak të rrethanave e faktorëve aktualë, për të cilat në këtë shkrim s’mund të ndalemi, do të thotë të mos bësh asgjë në ndryshimin, hap pas hapi, të kësaj gjendjeje të mjerë! Kjo fushatë politike, për zgjedhjet lokale të sivjetme, ku vërehet qartë seleksionimi negativ i kandidatëve për kryetarë komunash e asamble komunale, ku parulla kryesore “te ecim drejt Evropës” është krejt demagogjike, tregon qartë sesa larg nacionalizmit të vërtetë jemi e si rrjedhim edhe se sa larg Evropës perëndimore gjendemi aktualisht!