Lajmet e fundit

Kosova i kthehet Historisë. Pa Isën e Hashimin!

Nga Beqë Cufaj

Në Europën Juglindore, që i bie, Ballkan, s’ka asnjë popull më të trajnuar për të protestuar sesa shqiptarët e Kosovës. Kurrë s’janë dorëzuar.

Por kanë protestuar: edhe në kohë të Rankoviqit (vitet 60) por edhe në vitet 80 posa Beogadi filloi ta retushojë atë pak Autonomi që sa ishte gjallë Tito ua dha. Janë historike, prandaj pothuajse të papërsëritshme protestat e shqiptarëve në fillim e fund të viteve 80, në fillim dhe sërish në mes e fund të viteve 90. Protesta, protesta, protesta! Derisa ngjau çarja e madhe.

Ato kohë kur Isa ishte në zenitin e karrierës së tij prej një kryeparatçiku komunist rajonal dhe Hashimi një student historie që nga Drenica e largët e ndjente që në këtë kryeqytet të Prishtinës kishte shkelur çizmja serbe dhe duhej ndryshuar diçka. Dhe të dy në fillimin e viteve 90 u bënë “bashkë”. Shqiptarët e devotshëm të Titos dhe studentët rrebelë që s’e dinin edhe saktësisht çka donin- pos lirisë (!)- që t’i kundërveheshin Akademisë Serbe, Francuska 7, Milosheviqit e Mirës… Isa me sojin e tij formuan “Lëvizjen” paqësore dhe disa u mbyllën në kullën e fildishtë tek Jakupi e Maximus Primus-i, Hashimi me tjerët u “lidhën” me “shokët” e “Lëvizjes” dhe filluan të mbledhin armë e nisen “Bjeshkëve të Nemuna” që ta nisin luftën për çlirim…

Duhej vetëm një fije kashte e cila ngjau me lumin e studentëve në mes të viteve 90 me staturën e Profesor Ejup Statovcit në njërën anë dhe fytyrat e brishta e flokët e gjata të Albinit, Dritonit, Muhametit, Bujarit… që të fillonin djemë të rinjë të Drenicës, Dukagjinit, Llapit ta nisnin atë që sot është histori. Çlirimin e Kosovës.

Çdo gjë tjetër është histori.

Kemi hyrë në etapën e fundit të dekadës së dytë të çlirimit të Kosovës dhe sot, sidomos në ndërdijen e Isës s’ka patur si të mos i kujtohet Remzi Kolgeci me megafonët që thërriste studentët të “tërhiqeshin”. Por edhe Hashimit e Kadri Veselit se a të ngjiten lartë në katakombat e Profesor Hajrullah Goranit apo të marrin rrugën e “gyrbetit”.

Që të tre sot në anën tjetër të jetës. Në ato ndërtesa që dikur i kishin lëshuar apo donin t’i pushtonin.

Ndoshta s’është nevoja t’i kujtohet askujt asgjë pos faktit sa të dhembshëm aq edhe të vërtetë: bashkimi i tyre në pushtet të cilin ata po e quajnë Qeveri e të cilën dhjetëra mijëra njerëz, bashkëkombas të tyre në Kosovën e lirë, sot e kundërshtuan dhe kërkuan të shkojnë prej aty ku janë- u dhanë një trandje me praninë e tyre në Prishtinë.

Që të tre e dijnë. Isa e Hashimi e edhe Kadri Veseli: protesta e sotme ishte e madhe, ndoshta më e madhja e pasluftës. Në të s’pati dhunë. Sepse po të donin organizatorët të kishte përleshje atëherë jo që ato ndërtesa të Qeverisë dhe Kuvendit s’do të ishin siç janë sonte por edhe Kosova s’do të ishte më kjo Kosovë që është në këto çaste. Pak më ndryshe. Me një fije shprese që ka qytetari, ka popull dhe njerëz që duan t’ia tregojnë brirët poshtërimit të përditshëm që pushteti po u bën. Kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër: ato skena të pakëndshme që ngjanë pasi nisën të shpërndaheshin njerëzit janë amalgim i të gjithave ngapak: koordinimit të hafisë për të treguar “qëllimet” e opozitës por edhe të të pakanaqurve dhe ekstremistëve të vet partive opozitare. Kaq mund të shënohet për këtë çështje.

Dhe të shikohet përpara.

Sepse e dijmë të gjithë dhe më së shumti Hashimi e Isa por edhe Kadri Veseli, përtej deklaratave të tyre që sot vetëm i lexuan- sepse qysh mbrëmë duhet t’i kishin hartuar, sot duhet të kenë kuptuar diçka- për ta pothuajse shokuese: masa po shtohet dhe mund të vëjmë bast që qysh nesër ata do të fillojnë ta përgjërojnë opozitën të ulet me ta në tavolinën e bisedimeve.

E poqese s’lëvizin atëherë, atëherë a ka nevojë t’ua përsërisim historinë e protestave masive në Kosovë? Sa herë kanë qenë masovike kanë qenë me “dhunë” gjatë përfundimit. Ama dhuna e madhe, e mirëfillta sillej diku tjetër. Tek vajza e djemë, të reja e të rinj, që për Milosheviqin kanë lexuar në libra, kanë parë filma, shohin varret e të afërmve të tyre të vrarë e pushkatuar nga fallangat çetnike.

Por që sot jetojnë në vitin 2016. Dhe armik kanë një pushtet tjetër: atë të Hashimit, Isës, Kadri Veselit!

Leave a Reply

Your email address will not be published.