Qysh në fillim të vitit 2015 u krijuan disa barriera mes skenës së pavarur kulturore dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në krye me ministrin e ri, Kujtim Shala, kur ky i fundit zvogëloi subvencionet për aktivitetet e pavarura kulturore.
Ky vendim ngriti në këmbë rrjetin e organizatave të pavarura të kulturës në Kosovë dhe si pasojë e tij, disa festivale anuluan edicionet e tyre për vitin 2015.
Këtë vit nuk u mbajt “Prishtina Jazz Festivali”, “PriFilm Fest” udhëtoi për në Tiranë, ndërsa “Skena Up” dhe “9/11” u mbajtën në mënyre simbolike vetëm nga një natë, kurse “ReMuzika” pati vetëm 4 koncerte e jo 14 siç ka ndodhur deri tani.
Drejtori i festivalit “9/11”, Berim Gjoci, thotë për KosovaLive se arsyeja e zvogëlimit të buxhetit ishte arsyeja kyçe e anulimit të festivalit.
“Na vjen keq që sivjet s’do të mundem ta pasurojmë Kosovën me 10 filma te rinj, që s’angazhuam mbi 200 artistë nga mbarë trojet shqiptare, siç kemi bërë tradicionalisht.
Arsyet janë të njohura, sivjet nuk kemi marrë buxhetin bazë të mjaftueshëm për të filluar përgatitjet për festival, e dihet mirë se festivali 9/11 është festival prodhues, unik për kah natyra e tij për filmin e pavarur”, ka thënë Gjoci.
Në anën tjetër, as Festivali Ndërkombëtar i Filmit dhe Teatrit për studentë, “Skena Up”, nuk mbajti aktivitetet e planifikuara, por në bashkëpunim me Ambasadën gjermane në Kosovë shënuan edicionin e vitit 2015 në mënyrë simbolike.
“Kemi vendosur të heqim dorë edhe nga debatet për të shfaqur vetëm filmin pa zë, si një formë e reagimit dhe shpërfaqjes së gjendjes në të cilën ndodhet kultura kosovare: pa zë”, shpjegojnë organizatorët e festivalit.
I zëshëm gjatë vitit që lamë pas ishte Forumi Kulturor, një asociacion përfaqësues i organizatave kulturore të pavarura, që mbajti shumë debate për fondet publike për kulturën, shtetin dhe kulturën e pavarur, e politikat kulturore të Kosovës.
Madje, në mars të vitit 2015 ata kërkuan edhe shkarkimin e ministrit Kujtim Shala dhe po ashtu kërkuan të rishikohet vendimi për subvencionet dhe të bëhen publike procedurat që e kanë sjellë këtë vendimmarrje, duke thënë se arti në Kosovë po gjendet në krizë.
KosovaLive tentoi të merrte përgjigje nga zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për disa ditë me radhë se cila është strategjia e kësaj ministrie për vitin 2016 dhe si do të destinohet buxheti për institucionet e pavarura, por pa sukses.
Ndonëse duke qenë institucione shtetërore të kulturës, të cilat MKRS pohon se i ka prioritet, edhe Filarmonia e Kosovës dhe Trupa Kombëtare e Baletit përballen ende me problemin e mungesës së një salle universale dhe një teatri të operës dhe baletit.
Gjatë një interviste për KosovaLive drejtori i Trupës së Baletit të Kosovës, Ahmet Brahimaj, objektin që e ndajnë me stafin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ani pse që nga 2005-ta janë dy institucione të ndryshme, e cilëson si shumë të vjetruar dhe si objekt që nuk po i plotëson kushtet e balerinëve.
Gjendjen më të mirë nuk e ka as Filarmonia e Kosovës, institucioni më i lartë muzikor në vend që këtë vit shënoi 15-vjetorin e themelimit pa një sallë që i plotëson kushtet për mbajtjen e koncerteve dhe ushtrimeve dhe kështu do të jetë deri sa Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të arrijnë një marrëveshje me Komunën e Prishtinës dhe projekti i shumë pritur për Teatrin e Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova” të realizohet.