Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamaki.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e njoftoi ambasadoren për zhvillimet në Kosovë dhe për prioritetet e Qeverisë së Kosovës për avancimin e gjithanshëm të proceseve, njofton kumtesa nga Kryeministria.
Kryeministri Isa Mustafa veçoi përkushtimin e Qeverisë në proceset integruese evropiane, për liberalizimin e vizave dhe nënshkrimin e MSA-së, si dhe anëtarësimin e Kosovës në UNESCO e organizata të tjera ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa e falënderoi ambasadoren për përkrahjen e Finlandës në këto procese, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral, transmeton Koha.net.
Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamaki, përgëzoi kryeministrin Mustafa për progresin në Kosovë.
Ambasadorja Huhtamaki po ashtu shprehu mbështetjen e mëtejshme të Finlandës për proceset integruese evropiane të Republikës së Kosovës.