Gjatë qëndrimit në Washington, ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, ka zhvilluar takime me Marie Richards, zëvendës koordinatore për çështje rajonale e multilaterale në Byronë e Kundër-Terrorizmit, Tom Yazdgerdi, drejtor për Ballkan në Departamentin e Shtetit, Mark Koumans, nga zyra për Marrëdhënie Ndërkombëtare e Departamentit të Homeland Security, si dhe kongresmenin, Eliot Engel.
Në të gjitha këto takime u trajtuan çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me sigurinë, posaçërisht çështjet e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, krimit të organizuar dhe anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe organizata tjera ndërkombëtare të bashkëpunimit policor.
Pasdite, ministri Hyseni takon drejtorin e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) me ç’rast do të nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit në fushën e Forenzikës.