Lajmet e fundit

Kosova mund të përfitojë deri në 250 milionë euro nga amerikanët

Adrian Prenkaj, këshilltar i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, në një intervistë në emisionin “Info – Box” të RTV Dukagjini, duke folur për përfitimet që pritet t’i ketë Kosova në katër vitet e ardhshme nga organizata amerikane, Millennium Challegen Fond (MCC) – Fondi i mijëvjeçarit, tha se shuma që Kosova mund të përfitoj nga ky fond mund të arrijë deri 250 milionë euro.
Ai ka thënë se MCC është agjenci e pavarur amerikane, dhe se sipas tij, është një prej organizatave më transparente në botë.

“Kjo agjenci aplikon një filozofi të re në ndihmën që iu ofron shteteve. Kjo organizatë i ndihmon shtetet që kanë nivel të ulët të të ardhurave për kokë banori, dhe të cilat janë përkushtuar në luftën kundër korrupsionit, sundimit të ligjit dhe rritjen e standardeve demokratike”, ka thënë Prenkaj.

Ai ka sqaruar më tutje se janë gjithsej 20 indikatorë të cilët janë kyç në vlerësimin e kësaj organizate në atë se a do ta ndihmojë një shtet ose jo, dhe se sipas tij, Kosova ka shënuar progres të dukshëm në përmirësimin e këtyre indikatorëve.

“Kosova këtë vit ka përparuar në rangimin e të drejtat demokratike, kryesisht si rezultat i mbarëvajtjes së mirë të zgjedhjeve të vitit 2013 dhe 2014. Në luftën kundër korrupsionit, përmirësimi i bashkërendimit të agjencive të sundimit të ligjit i ka mundësuar Kosovës që më në fund të kalojë indikatorin e kontrollit të korrupsionit. Sipas ‘Treguesve Botëror të Qeverisjes’ të Bankës Botërore, Kosova këtë vit ka përmirësuar kontrollin e korrupsionit për 16 për qind, krahasuar me vitin e kaluar”, ka theksuar Prenkaj.

Sipas tij, synim i Zyrës së Presidentes së Kosovës, ndonëse shumë sfera kanë nevojë për ndihmë, është që të ndihmohet zhvillimi i sektorit privat si mundësi për ta gjeneruar hapjen e vendeve të reja të punës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.