Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s ka përfshirë në rend dite propozimin për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Pavarësisht përpjekjeve të Serbisë për ta ndaluar ose shtyrë këtë fazë, ditën e hënë shteti më i ri q pretendon anëtarësimin është përfshirë me konsensus në axhendë.
Kështu, Kosova i afrohet anëtarësimit në organizatën për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara. Ndërkohë, autoritetet më të larta qeveritare, kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi e vlerësuan këtë si një fitore të vogël procedurale, por të rëndësishme sepse tani fokusi mbetet tek votimi i javës së ardhshme.
Ardian Arifi, këshilltari i ministrit të Jashtëm bëri të ditur se “Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s do ta trajtojë çështjen e Kosovës më 21 tetor”. Kjo do të thotë se javën e ardhshme mund të kuptohet nëse Bordi Ekzekutiv do t’i rekomandojë apo jo Asamblesë së Përgjithshme për ta votuar përfundimisht anëtarësimin e Kosovës.
/Shekulli Online/