Diplomati shqiptar Lisen Bashkurti ka thënë se nisja e negociatave në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) është hapi më i rëndësishëm në rrugën e modernizimit, evropianizimit dhe integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
“Ky hap i konsiderueshëm ndikon në zhvillimet brenda Kosovës, në marrëdhëniet me fqinjët, përfshirë edhe Serbinë, si dhe në nivelin rajonal të bashkëpunimit të Kosovës. Gjithashtu, ky hap do të ketë ndikim shumë pozitiv në procesin e përshpejtimit të njohjeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, pra afrimit me pranueshmërinë në Kombet e Bashkuara”, ka thënë Bashkurti në një intervistë për “Epokën e re”.
Bashkurti ka thënë se Kosova plotësisht mund t’i përmbushë të gjitha kërkesat që burojnë nga negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian për faktin se, sipas tij, Kosova brenda këtyre pesë vjetëve të ekzistencës së saj ka bërë përparime aq të mëdha krahasuar me përvojat e tjera të shtetformimeve pas shpalljeve të pavarësive
Bashkurti nuk i sheh pengesë në përfundimin e MSA-së pesë shtetet anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Besoj se rruga e nisur me Procesin e Stabilizim Asociimit, me Udhërrëfyesin për Liberalizim e Vizave në Shengen dhe Marrëveshja Bilaterale Kosovë – Serbi e këtij viti hapin rrugën e njohjeve edhe nga pesë shtetet e mbetura brenda Bashkimit Evropian. Mendoj se te pesë shtetet anëtare të BE-së, derisa janë dakorduar në kuadër të Unionit, për ta nisur procesin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Kosovën, nuk do të bëhen pengesë për ratifikimin e MSA-së, pra paraprakisht do të njohin Kosovën dhe do të vendosin marrëdhënie diplomatike me shtetin e saj”, ka thënë Bashkurti.