Kosova ka kaluar në partnerin e dytë për eksportet nga Shqipëria me 9,1%, por pas Italisë, që kryeson me 48,3% ndaj totalit.
Sipas INSTAT, në periudhën janar-korrik u eksportuan drejt Kosovës produkte “Made in Albania’ me vlerë 13.7 miliardë lekë dhe një rritje 47% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku eksportet e lëndëve djegëse dhe energjisë janë dyfishuar në 7 muajt e parë 2015, çka tregon një zhvendosje të tregut në vitet e fundit nga Spanja.
Produktet shqiptare më të eksportuara drejt Kosovës janë mineralet, lëndët djegëse dhe energjia, që zënë 47.4% të totalit, ndjekur nga materiale ndërtimi dhe metale me 29% të totalit.
Edhe shitjet e produkteve ushqimore nga Shqipëria në tregjet e Kosovës në 7 muajt e parë u rritën 45%, duke arritur në vlerën e 1.4 miliard lekë, por megjithatë pesha e tyre mbetet e ulët në eksportet me vetëm 10% ndaj totalit.
Në raport me të njëjtën periudhë të 2014-tes, rritja me dy herë më shumë e eksporteve drejt Kosovës ka ardhur nga grupi i “mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë”, kryesisht nga nafta shqiptare, ndërsa grosistët importues të karburanteve po eksportojnë edhe në Kosovë e Maqedoni.