Kosova është ngjitur për 12 pozita më lart në raportin e të Bërit Biznes, të Bankës Botërore, për vitin 2014. Nga vendi i 98 në të cilin ishte vitin e kaluar, si rezultat i tri reformave të bëra për përmirësimin e ambientit të biznesit, sivjet është në pozitën e 86 në mesin 189 shteteve të botës. Përveç kësaj vlerësohet si vendi më reformatorë në këtë periudhë, bashkë me Ukrainën e Ruandën.
“Ukraina, Ruanda, Federata Ruse, Filipinet dhe Kosova janë në mesin e ekonomive më reformatore që kanë bërë përmirësime më së shumti gjatë periudhës 2012/13 në fushat e vrojtuara nga Doing Business”, thuhet në raport, shkruan Tribuna.
Me këtë lëvizje në tabelë, Kosova ka lënë mbrapa sa i përket angazhimit për krijimin e ambientit të favorshëm për bizneset Serbinë, Kroacinë, Shqipërinë e Bosnjën e Hercegovinën. Kroacia këtë vit radhitet e 89-ta, Shqipëria e 90-ta, ndërsa Bosnja e Hercegovina mban pozitën e 131 pa asnjë reformë të realizuar nga viti i kaluar deri më tani.