Kosova edhe më tej mbetet vend i përshtatshëm për shpëlarje të parave, ku vetëm brenda këtij viti Policia e Kosovës ka trajtuar 6 raste dhe nga këto me kallëzim penal ndaj 21 personave të dyshuar dhe një rast me raport te veçantë. Sa i përket trendit të paraqitjes së rasteve të tilla, krahasuar me vitin e kaluar trendi është i njëjtë.
Njohës të kësaj fushe thonë se përkundër angazhimit të institucioneve relevante nuk ka rezultate konkrete në luftën kundër pastrimit të parave, kjo mbase është si mungesë e angazhimit maksimal dhe vullnetit për ta luftuar këtë dukuri e cila ka ndikim të lartë negativ në zhvillimin socio-ekonomik të vendit tonë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, thotë se policia është në funksion të realizmit të detyrave dhe në bazë të autorizimeve ka ndërmarrë veprime të nevojshme për realizimin e planeve operative policore që ndërlidhen me pastrimin e parave.
Në bazë të statistikave të periudhës së fundit, Hoxha thotë se në Prokurori janë dërguar 6 raste nga këto me kallëzim penal ndaj 21 personave të dyshuar dhe një 1 rast me raport te veçantë. Policia thotë se për këtë dukuri disa prej tyre janë nën hetime edhe nga viti i kaluar.
Policia e Kosovës sa i për ketë kapaciteteve lidhur me luftimin e kësaj dukurie, Hoxha tha se ka kapacitete të mjaftueshme. Kjo vepër penale, shpëlarja e parave është paraqitur më shumë në rajonin e Prishtinës, Mitrovicës, Pejës si dhe Prizreni, por që nuk kufizohet vetëm në këto rajone.
Kurse, zyrtarë të Prokurorisë së shtetit edhe pse janë kontaktuar nga KosovaPress, ata nuk kanë dashur të tregojnë për angazhimin e këtij institucioni në luftimin e kësaj dukurie.
Hulumtuesja në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, Albana Rexha thotë për KosovaPress se në Kosovë po ndodhë fenomeni i pastrimit të parave, çfarë duhet të bëjnë institucionet përkatëse për parandalimin e kësaj dukurie?
Ajo deklaron se mungesa e transparencës së këtyre institucioneve arsyetohet me ndjeshmërinë e këtij fenomeni. Po ashtu, ka mungesë të statistikave të cilat do të konkretizonin progresin e luftimit të kësaj dukurie. Sipas saj, përkatësisht, ka mungesë të një baze të të dhënave e cila do të përmblidhte në vete të gjitha rastet duke përfshirë këtu edhe gjendjen aktuale të rasteve për të cilën do të mund të informoheshin të gjitha institucionet dhe publiku në kohë. “Një indikator shumë i rëndësishëm që tregon se sa të angazhuara janë institucionet tona në luftimin e kësaj dukurie është edhe mungesa e rasteve të dënuara për pastrim të parave, të paktën për aq sa ne kemi mundur të marrim informacion”, thotë Rexha.
Gjithashtu, duhet cekur se kjo dukuri dhe luftimi i saj lidhen ngushtë edhe me konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Përkatësisht, ndryshimi i legjislacionit në atë fushë, si dhe implementimi i duhur ndihmon në parandalimin e kësaj dukurie. Tani për tani, përfitimet nga konfiskimet janë minimale, kjo sepse duhet bërë shumë ndryshime në aspektin ligjor, institucional dhe mbi të gjitha duhet të ekzistojë vullneti nga ana e institucioneve. Edhe njohës të tjerë të ekonomisë mendojnë se ky fenomen mbetet i lartë në Kosovë, dhe kjo paraqet rrezik për zhvillim dhe invtestime.