Ka pesë javë që seancat në Kuvendin e Kosovës janë bllokuar nga opozita. Në fillim opozita përdori vezët, kurse në katër javët e fundit u përdorë edhe gaz lotsjellës.
Por, të premten pozita pas disa orëve ku u pamundësua seanca, ata vendosën që punimet t’i zhvillojnë në një sallë tjetër. Kjo mbase mund të duket e çuditshme dhe e paparë, mirëpo kjo nuk është hera e parë kur Kuvendi i Kosovës mban mbledhje jashtë sallës së zakonshme. Ka pasur edhe raste të tjera, megjithëse ato janë mbajtur në rrethana të jashtëzakonshme.
Disa vjet më parë përfaqësuesit e shtetit janë detyruar që seancën ta mbajnë në Kuvendin e Prishtinës. Por, arsye për këtë gjë ishte se ndërtesa e Parlamentit po ndërtohej.
E, jashtë sallës plenare, por brenda objektit ishte miratuar edhe njëra prej vendimeve më historike të shtetësisë së Kosovës. Pikërisht më 2 korrik 1990, deputetët shqiptarë të Kuvendit kishin miratuar deklaratën kushtetuese.
Të njëjtit delegatë, dy muaj më vonë, pra më 7 shtator 1990, në Kaçanik miratuan Kushtetutën e Kosovës.
Këso situata ka pasur edhe në Shqipëri. Në vitin 2009, salla e Kuvendit ishte e bllokuar nga deputetët e LSI-së që atëkohë mbanin grevë urie.