Lajmet e fundit

Kosovë-Turqi – Marrëveshje për riatdhesim

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, u nënshkrua sot Marrëveshja mbi ripranimin e personave që qëndrojnë pa autorizim, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, njoftoi MPB.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Marrëveshjen e nënshkroi ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ndërsa në emër të Qeverisë së Republikës së Turqisë, ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç.

Me këtë rast Hyseni tha se ky nënshkrim i Marrëveshjes bën një avancim të mëtejmë të marrëdhënieve vëllazërore dhe shumë të ngushta miqësore me Republikën e Turqisë.

“Republika turke është partner strategjik i Republikës së Kosovës, dhe ky partneritet do të vazhdojë në të gjitha fushat pa përjashtim”, tha ministri Hyseni.

Ai shtoi se Marrëveshja e nënshkruar përpos rëndësisë praktike që ka në fushën e riatdhesimit në mes dy vendeve, po ashtu për Kosovën ka një rëndësi të veçantë në rrafshin e liberalizimit të vizave.

Ambasadorja Kiliç, tha se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Turqisë bazohen në kulturë, miqësi dhe histori të përbashkët.

“Jemi shumë të kënaqur që bashkë më Kosovën, kemi marrëdhënie të përkryera në fushën e ekonomisë, kulturës, shkencës. Ne vlerësojmë shumë zhvillimin e Kosovës jo vetëm për popujt që jetojnë këtu, por për zhvillimin dhe stabilitetin e përhershëm të Ballkanit”, tha ambasadorja Kiliç.

Ajo u zotua se Republika e Turqisë do të vazhdojë të japë përkrahjen e saj që Kosova të ketë pozicionin e merituar në arenën ndërkombëtare.

Kjo Marrëveshje plotëson njërin ndër kriteret themelore të Udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, si dhe është njëra ndër objektivat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në sferën e bashkëpunimit ndërkombëtar, në fushën e ri-pranimit, thuhet në komunikatë./KosovaPress/

Leave a Reply

Your email address will not be published.