Lajmet e fundit

Krasniqi: Beogradi do “Vatikanin serb” në Kosovë

Ish – kryeparlamentari Jakup Krasniqi në një shkrim autorial dërguar mediave ka komentuar në lidhje me deklaratat e fundit të Tomisllav Nikoliqit, i cili ka thënë se pozitës së Kishës ortodokse serbe në Kosovë t’i propozohet modeli i Vatikanit.

Kjo deklaratë për Jakup Krasniqin, është edhe një apetit i shtuar i serbëve për Kosovën.

Lexojeni të plotë shkrimin e Jakup Krasniqit

Pasi Qeveria e Kosovës (dy Kryeministrat e saj) në bisedimet e Brukselit me Daciqin e Vuciqin, arritën ta krijojnë “zajednicën”, një “Republikë Serbska” në Kosovë, tashme të shpallur antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Ky fakt, për Beogradin ka hapur orekse të reja për copëzimin e Kosovës. Këto orekse, jo të pa njohura për çdo njëri që shikon pak përtej bregut, i shfaqi njeriu i parë i shtetit, Kryetari i Serbisë Tomisllav Nikoliq i cili në bisedë me patriarkun Irinej kanë biseduar dje në Patriarkanë për mundësinë që pozitës së Kishës ortodokse serbe në Kosovë t’i propozohet modeli i Vatikanit!

Pra, kreu i shtetit serb nuk është i kënaqur me një “zajednicë” serbe, ai kërkon edhe një “zajednicë” tjetër, por tani të Kishave e të Manastireve serbe në Kosovë.

Gazeta Beogradase “Novosti”, njofton për takimin e mbajtur në mes kreut të shtetit dhe kreut të kishës dhe se takimi është mbajtur në vlugun e përgatitjeve për vazhdimin e dialogut me Prishtinën, e sipas paralajmërimeve të ekipit negociues serb. Nga kjo bisedë, dihet se Qeveria serbe, për raundin e ri të negociatave ka ndërmend ta paraqesë pikërisht çështjen e statusit të Kishës Ortodokse serbe (KOS) dhe të pasurisë së saj në Kosovë. Kjo është edhe një dëshmi tjetër se marrëveshjet me Serbinë nuk kanë përfunduar. Kur merret parasysh fakti se qeveritarët tanë deri më tani kanë bërë marrëveshje të dëmshme, për çka ka treguar edhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila vetëm në një marrëveshje ka konstatuar se janë shkelur tetëmbëdhjetë (18) nene të Kushtetutës të shpërndarë në tetë kapituj vital të saj. Nga përmbajtja, shumësia e thellësia, këto shkelje në asnjë mënyrë nuk mund të krahasohen më atë të presidentit Sejdiu.

Pas këtyre shkeljeve të renda të Kushtetutës nga Kryeministri dhe delegacioni i tij në Bruksel, është më shumë se e qartë se këta njerëz e kanë humbur çdo kredibilitet për t’i vazhduar bisedimet me Serbinë. Këta qeveritarë janë të obliguar që ta ndjekin rrugën e Presidentit Sejdiu dhe të dorëheqjen. Ky është edhe obligimi i tyre kushtetues – janë shkelës te Kushtetutës. Nëse këta nuk e bëjnë këtë, atëherë duhet të jetë veprimi i qytetarëve të bashkuar që t’i detyron të bëjnë ketë.

Pasi jemi në fund të një viti të një qeverisje tepër të keqe, këta njerëz të pa përgjegjshëm le ta presin Vitin e Ri 2016 duke i mbajtur pozitat e pa merituara, por me kushtin që të përgatiten për dorëheqjen nga pozitat e tyre që tani më janë kundër kushtetuese. Ky akt i këtyre njerëzve do të ishte Urimi më i mirë i fillimvitit 2016 për qytetarët e Republikës së Kosovës! Ata vetëm kështu, duke ikur nga pushteti, mund t’i shërbejnë vendit të tyre – Republikës së Kosovës.

Është momenti i duhur që qytetarët e Kosovës, ta lënë shtetin në duar të sigurta!

Leave a Reply

Your email address will not be published.