Akuzat ndërmjet kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaci dhe ish sekretarit të partisë së tij, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, analistë dhe deputetë e shohin si shfryrje e mllefit dhe pasqyrim i asaj se çka ata mendojnë për njëri tjetrin.
Deputeti i PDK-së, Berat Buzhala, ka theksuar se përdorimi i gjuhës së ashpër ndërmjet kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, do të ishte i kuptueshëm nëse do të përdorej në funksion të çështjeve të rëndësishme për vendin.
Sipas tij, përdorimi i gjuhës së ashpër ndërmjet Thaçit dhe Krasniqit, “nuk ka kurrfarë lezeti”, sepse është në funksion të anomiziteteve private që kanë ata me njëri tjetrin.
“T’i mund ta quash dikë të ‘poshtër’, në kontekst të mosaprovimit të një ligji që ka të bëjë me politikat sociale. Por, nëse dikë e quan të ‘poshtër’, sepse ai ty të ka quajtur ‘hajn’, duke i shfryer kështu mllefet personale, është një gjë e dëmshme sepse po përdoret për çështje personale dhe jo për çështje të interesit shtetëror”, ka thënë ai për Telegrafin.
Buzhala, akuzat e Krasniqit i ka quajtur “të entuziazmuara” nga tubimi i ish nënkryetarit të PDK-së, Fatmir Limaj në Malishevë.
“Krasniqi ka vendosur ta bëjë në Drenas të njëjtën gjë që e ka bërë Limaj në Malishevë. Krasniqi, sikur të përdorte edhe një arsenal të tërë të fjalëve të ndyta nuk do ta ndryshojë disponimin e qytetarëve të Drenasit”, ka pohuar Buzhala.
Analisti Behlul Beqaj, ka theksuar se gjuha e ashpër e përdorur në mes kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe të parit të PDK-së, Hashim Thaçi, është një paralajmërim ogurzi për atë çfarë mund të presim nëse dobësohet pozicioni politik i kryeministrit. Sipas tij, të flasësh sot për bashkëluftëtarin me gjuhë të urrejtjes “do të thotë se kryeministri e ka humbur toruan”.
“Të kesh mirëkuptim më të madh ndaj Dacicit dhe Nikolicit, e të ofendosh njeriun e idealit do të thotë më shumë se makiavelizëm. Kryeministri kohët e fundit është në gjendje të komës politike. Do të ishte shumë më mirë për të dhe partinë që po e udhëheq që të kthjellet sa më parë”, ka thënë ai për Telegrafin.
Mbijetesa e Krasniqit sipas tij, nuk varret nga Drenica, sikurse që nuk varret as mbijetesa e kryeministrit.
“Nuk është mirë që ky regjion të shndërrohet në poligon akuzash dhe ofendimesh. Në fakt, ky komunikim i urrejtjes më shumë i ka ofenduar drenicakët që dëshirojnë të jetojnë normalisht dhe jashtë presioneve politike, pavarësisht se çfarë mendojnë grupacionet e ndikuara politikisht”, ka theksuar Beqaj..