Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, procesin e djeshëm zgjedhor e ka vlerësuar si proces të rregullt, duke përjashtuar sipas tij, pjesën veriore, e cila ka qenë storie dështimi si për institucionet vendore, ashtu edhe për ato ndërkombëtare.
“Zgjedhjet e djeshme kanë qenë të mirë administruara. Ndërsa procesi zgjedhor në veri ka qenë proces i dështuar për të cilët përgjegjësia bie mbi institucionet të cilat kanë marrë përsipër mbarëvajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës”, ka theksuar Krasniqi.
Rotacioni i cili ka ndodhur nëpër qytetet kryesore gjatë këtyre zgjedhjeve, sipas Krasniqit është pak befasuese.
“Ndryshime kanë ndodhur, por nuk është se qytetarët i kanë votuar programet politike. Më tepër se ndëshkimin e qeverisjeve nëpër komuna, qytetarët i kanë ndëshkuar akterët politik”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa, fitoren e Iniciativës Qytetare për Malishevën (IQM) dhe kandidatin e saj Ragip Begaj, e ka cilësuar si fitore të demokracisë. “Qytetarët e Malishevës kanë treguar pjekuri të lartë politike dhe meritë e veçantë në fitoren e IQM-së, ka qenë mbështetje e Fatmir Limajt”, ka shtuar ai.