Njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, ka vlerësuar se zëvendëskryeministri i tanishëm, Hashim Thaçi di ta luajë mirë politikën.
Sipas tij, Thaçi bashkë me Kadri Veselin,qe një kohë të gjatë janë në një “luftë” siç ai e ka quajtur. Kjo, sipas tij, pasi vetë i pari i PDK-së, është mes dy dilemave, se të shkojë në postin e presidentit apo të mos shkojë.
Krasniqi tutje ka thënë, se nuk mendon se Hashim Thaçi e ka seriozisht për të shkuar në pozitën e kreut të shtetit.
Më poshtë e shihni prononcimin e plotë të tij:
Ka kohë që në PDK është duke u zhvilluar një ‘’luftë ‘’ mes Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, se cili do të jenë në krye të partisë, edhe për një kohë të gjatë. Kjo ‘’luftë’’ mes tyre tashmë nuk është diçka sekrete. Hashim Thaçi është në mes të dy dilemave. Nëse zgjidhjet President, atëherë automatikisht e humb kreun e partisë, e cila bie në dorën e dyshit të partisë, Kadri Veselit, njeriut më të fuqishëm në PDK, por edhe në skenën politike të Kosovës. Dhe pas mbarimit të mandatit 5 vjeçar në kreun e Presidencës, Hashim Thaçi do ta ketë vështirë, ose më mirë të them do të një mision i pamundur. Prandaj dyshoj që Hashim Thaçi e ka seriozisht postin e Presidentit, sepse që në atë moment që zgjidhet President, do të thotë fundi i karrierës së tij politike. Duke marrë parasysh moshën e tij, nuk besoj që edhe aq shumë i intereson posti i Presidentit, edhe pse po hiqet si shumë i interesuar që të zgjidhet President i Kosovës. Hashim Thaçi është lojtar shumë i fortë në politikë dhe gjithmonë i bën gjërat të duken ashtu siç i thotë, por në fakt vepron të kundërtën e asaj që thotë. Prej futjes së Kadri Veselit në politikë dhe numrit aq të madh të deputetëve të PDK-së, që vijnë nga radhët e SHIK-ut, kjo parti edhe zyrtarisht është në duart e SHIK-ut. Por, ndikimin e madh SHIK-u në PDK e ka pasur edhe para se Kadri Veseli dhe deputetët e tjerë të SHIK-ut, të bëheshin edhe zyrtarisht pjesë e politikës. Në fatin e Hashim Thaçit do të luaj rol të madh edhe Gjykata Speciale, nëse do të jetë edhe ky një ndër të akuzuarit nga kjo Gjykatë. Njerëzit e kësaj partie, janë më të inkriminuarit në krim dhe korrupsion, dhe nuk dallojnë shumë njëri nga tjetri. Sidoqoftë, mendoj që z. Kadri Veseli në një të ardhme shumë të afërt, do ta marrë timonin e partisë. Sepse çdo kalkulim politik është duke shkuar në favorin e tij.