Nëse forcat e rëndit do të ndërhynin në Parlament për të ndërprerë bllokimin që po u bëjnë seancave parlamentare opozita, në Lëvizjen Vetëvendosje nuk do të ishin të befasuar, ka thënë për Klan Kosovën, zëdhënësi për media i kësaj Lëvizje, Frashër Krasniqi.
“Nuk befasohemi nga veprimet policore të dhunshme të Qeverisë së Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi, duke shtuar se “kjo Qeveri ka arrestuar e rrahur aktivistë thjeshtë sepse kanë shpërndarë fletushka e shkruar parulla”.
Kurse për deklarimet e djeshme të Adem Grabovcit, shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, se “kjo që po ndodh është një precedent që vërtet mund të ketë pasoja në të ardhmen” dhe se “bllokada duhet të ndalohet përkundër se nuk përjashtohen eskalime të situatës”, Krasniqi tha se e tensionojnë gjendjen edhe më shumë.
“Adem Grabovci dhe në përgjithësi koalicioni qeveritar duhet ta dijë se paralajmërimet për dhunë vetëm sa do ta tensionojnë edhe më tutje situatën”.
Krasniqi deklaroi se, po që se tentohet të përdorët dhuna atëherë do të “ndodhë sikur në rastin e Jabllanoviqit”.
“Isa Mustafa provoi që me dhunë t’i shtyp protestat. Por e dimë rezultatin e veprimeve të tilla”, ka thënë Krasniqi për Klan Kosovën.