Për të gjashtën herë me radhë ka dështuar mbajtja e seancës gjyqësore në rastin e aktivistëve të Vetëvendosjes dhe rrokullisjes që ua kanë bërë veturave të EULEX-it.
Ngjarja ka ndodhur më 2009-ën, kur VV-ja po kundërshtonte marrëveshjet që misioni evropian i nënshkroi me Serbinë, raporton KTV.
Në seancën e dhjetorit gjyqtari kishte lëshuar urdhër që të arrestohen të gjithë zyrtarët e VV-së, sepse ata asnjëherë nuk kanë ardhur vullnetarisht në Gjykatë.
Por, të hënën policia ka arritur të arrestojë vetëm Hasim Ukën, Fatmir Kurtajn dhe Flamur Arifajn nga 21 aktivistë të akuzuar.
Në Gjykatë këtë herë është sjellë deputeti Glauk Konjufca, meqenëse ai është në arrest shtëpiak për rastin tjetër, atë të gjuajtjes së gazit lotsjellës në Kuvend.
Pas seancës, Konjufca ka thënë se kjo është drejtësi që ka dhënë shenja se është e kapur nga regjimi i Mustafës e Thaçit.
Konjufca ka shtuar se EULEX-i, që vetë është përfshirë në korrupsion, bashkë me Qeverinë kanë vendosur prioritet luftimin e atyre që kundërshtojnë Asociacionin.
Ai ka shtuar se është qëndrim i VV-së që të mos paraqiten vullnetarisht në këto seanca.
Vullnetarisht, sikur edhe herëve të kaluara, ka ardhur Rron Gjinovci, ish-aktivist i VV-së.
Në mesin e të akuzuarve për pjesëmarrje në grup që kryen vepra penale dhe dëmtim i pasurisë së luajtshme është edhe drejtori i Inspektoratit në Prishtinë, Xhelal Sfeçla, sekretari organizativ i VV-së, Dardan Molliqaj dhe zëdhënësi Frashër Krasniqi.