Nga Harold James
James shkruan se ndërsa shtetet janë mësuar ta shohin krizën ekonomike të vendit të tyre si të izoluar dhe ta zgjidhin me masa vetëm për popullsinë e tyre, globalizmi ka shtuar nevojën për një përgjigje globale ndaj çdo problemi financiar që prek edhe jetët e njerëzve.
Nëse ka ndonjë anë të ndritur në rrëmujën që ka përfshirë ekonominë botërore që prej vitit 2008, është fakti se jo në çdo pjesë të botës ka shpërthyer njëkohësisht. Në fillim ndodhi kriza e hipotekave në Shtetet e Bashkuara, së cilës Europa iu përgjigj me reflektime të vetëkënaqura për elasticitetin e modelit të saj social. Më pas në vitin 2010, me shpërthimin e krizës europiane të borxhit, ishte radha e Amerikës të gëzohej, ndërsa shtetet aziatike theksonin se zgjerimi i madh i shtetit të mirëqenies ishte rrënja e problemit. Sot, bota është e fiksuar me ngadalësimin e Kinës dhe problemet e bursës së saj. Në fakt, për dikë, çfarë po ndodh në Kinë mund të jetë një version modern i përplasjes së bursës amerikane në vitin 1929, një tronditje që interferoi në botë. Dhe nuk është vetëm ekonomia kineze ajo që është goditur nga ky problem, Rusia dhe Brazili janë në gjendje më të keqe. Teksa globalizimi lidh njerëzit dhe ekonomitë e largëta, pasojat nuk janë gjithnjë ato që priten ose dëshirohen. Dhe, me krizën ekonomike që është bërë më globale në natyrë, sfida e ardhshme për politikëbërësit do të jetë përpjekja për të zvogëluar pasojat në shtëpi dhe ruajtja e impulsit të votuesve të tyre për të pakësuar përfshirjen me pjesën tjetër të botës. Për tani, është bërë e qartë se çdo histori suksesi ka anën e errët dhe se asnjë ekonomi nuk mund të vazhdojë të ngjitet lart për një kohë të pacaktuar. Por, për të perifrazuar Leon Tolstoin, është e rëndësishme të kujtohet se çdo ekonomi e palumtur është e palumtur sipas mënyrës së saj dhe zgjidhja e problemeve të një vendi nuk mund të funksionojë për të tjerët. Problemi i Europës për shembull, nuk mund të cilësohet si i thjeshtë, shkaktuar vetëm prej diçkaje – si për shembull adoptimi i valutës së përbashkët. Përpara krizës së euros, Italia kishte kaluar një periudhë të gjatë stanjacioni, ndërsa Spanja kishte përjetuar një flluskë strehimi të stilit amerikan dhe Greqia kishte vuajtur shumë nga rritja e nxitur prej qeverisë. Faktori i përbashkët ishte se secili kishte miratuar politika të paqëndrueshme që kërkonin veprim korrigjues. As kriza e SHBA-së nuk u përjetua njëlloj; Florida dhe Arizona kishin probleme të ndryshme nga Miçigani. Po ashtu, ekonomitë e Rusisë, Brazilit dhe Kinës po ngadalësojnë të gjitha për arsye të ndryshme. Rusia po vuan nga vendimi për t’u bërë një prodhues i madh energjie në kurriz të diversifikimit. Në rrënjët e problemeve kineze gjendet përpjekja e saj për të kaluar nga modeli i rritjes bazuar në eksporte dhe investim te infrastruktura, bazuar më shumë në konsumin e brendshëm. Brazili po fundoset nga krediti i kushtueshëm i konsumatorit dhe fitimet e pagës reale që kanë lënë pas rritjen e produktivitetit. Ka rrugë për t’u përballur me të gjitha këto probleme, por strategjitë efektive më afatgjata për shtimin e produktivitetit nuk mund të pakësohen me një formulë të thjeshtë. Fatkeqësisht, pjesë e përgjigjes politike standarde ndaj krizës ekonomike është kërkesa që diçka të bëhet shpejt. Dhe, gjatë shqetësimeve ekonomike, ka një politikë se duket se ka funksionuar mirë deri më tani: zhvlerësimi i valutës. Është një politikë që ka pasur sukses në Japoni, ku një jen i dobët është arritja e vetme e vërtetë e Abenomics dhe në Europë, ku një euro e dobët po ndihmon shfuqizimin e recesionit. Europianët gjithashtu preferojnë të mendojnë se një dollar i dobët ishte arsyeja e rigjallërimit të shpejtë të ekonomisë amerikane. Tani është radha e kinës të shpresojë se zhvlerësimi valutor mund të ndihmojë të fitojë konkurrencën. Problemi sigurisht, është se valutat e të gjitha vendeve nuk mund të zhvlerësohen njëkohësisht. Pas Depresionit të Madh, përpjekjet për të bërë këtë gjë i nxitën qeveritë të miratojnë politika të mbrojtjes së tregtisë, duke shtrënguar rritjen për vite. Impulsi mbrojtës ka munguar deri më tani te përgjigjja për krizën aktuale, por kjo mund të ndryshojë. Një tjetër pasojë e sikletshme e globalizimit është tendenca e tij për t’i vënë njerëzit dhe kapitalin në lëvizje. Teksa ekonomitë e mëdha në zhvillim rrëshqasin, më shumë njerëz mund të nxiten të kërkojnë një jetë më të mirë gjetkë. Lloji i migracionit që tërheq më shumë vëmendje është ai i refugjatëve nga zonat e luftës në Lindjen e Mesme dhe Afrikën veriore. Por kjo lëvizje shoqërohet nga një nxitje e emigrimit për shkaqe ekonomike nga Ballkani dhe Afrika Perëndimore për shembull. Dhe të dyja po nxisin përgjigje nacionaliste në shtetet e destinacionit. Ndërkohë, paqëndrueshmëria në ekonomitë në zhvillim bën që shtetasit e pasur të përpiqen të shpëtojnë sa më shumë kapital duke investuar në prona të paluajtshme në parajsa të sigurta si Nju Jorku, Londra dhe Gjeneva. Kjo i bën këto qytete shumë të lavdishme dhe dinamike, por gjithashtu gjeneron vështirësi të mëdha pasi çmimet e shtëpive janë të larta, e njerëzit udhëtojnë më tepër për të shkuar nga shtëpia në punë. Kjo sjell rënien e cilësisë së jetës për popullatën vendase. Deri më tani, ekonomitë e përparuara janë përballur me problemet e fundit mirë. Por ndërsa përgjigjja ekonomike ka qenë më efektive se ajo në vitet 1930, tensionet sociale dhe irritimet janë lënë të ziejnë. Evropa dhe SHBA-ja tani përballen me një sfidë të re: ato duhet të përgjigjen jo vetëm ndaj vështirësive të tyre ekonomike, por edhe ndaj vuajtjes së thellë njerëzore prodhuar nga dështimi ekonomik dhe politik gjetkë.