Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk mbërriti sot në mbrëmje në Tiranë në një vizitë zyrtare, që është pjesë e turit të tij ballkanik. Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha dhe delegacioni e pritën në Rinas.
Nëpërmjet një postimi në “Twitter”, Presidenti i KE-së u shpreh entuziast për takimin me kryeministrat e pesë vendeve të Ballkanit, ndërsa njoftoi se vizita e tij nisi nga Serbia të shtunën. Turi, i cili nisi sot, do të përfundojë të premten më 25 nëntor, me një vizitë në Zagreb. Pas Tiranës ai do të vizitojë Shkupin, Sarajevën duke përfunduar me Zagrebin, raporton Shekulli.
Në fokus të bisedimeve që do të zhvillohen me zyrtarët e lartë të vendit tonë, do të jetë çështja e emigracionit në Bashkimin Evropian si dhe ajo e lëvizjes së lirë përmes Shengenit. Pas sulmeve terroriste në Paris, nisën sërish propozimet e disa nga vendeve të BE-së për kontrolle më të mira në kufijtë e jashtëm të BE-së dhe një mbikëqyrje më e mirë e të ashtuquajturve rrezikues brenda BE-së.
Tusk do të pritet nesër në orën 10:00 nga kryeministri Rama dhe më pas do të mbahet ceremoniali i pritjes zyrtare në Kryeministri. Në orën 10:10 do të zhvillohet takimi mes dy delegacioneve.
Në orën 11:00 kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i KE-së Donald Tusk do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp. Vizita e Donald Tusk, në pesë shtetet ballkanike merr një rëndësi të posaçme për mesazhet që do të përcjellë, në mënyrë të veçantë për të ardhmen e lëvizjes së lirë në zonën Shengen, pas propozimeve për rivendosjen e kontrolleve kufitare.
Donald Tusk nisi vizitën e tij zyrtare të shtunën në Beograd. Gjatë takimit me kryeministrin serb Aleksandër Vuçiq, ai u shpreh se Bashkimi Evropian e mbështet Serbinë. “Nëse duam të ruajmë Schengen-in, duhet të jemi seriozë në mbështetjen tonë ndaj vendeve në vijë të parë”, tha në fjalën e tij Presidenti i KE-së.