Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mbledhjen e Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare, ku përveç tjerash do të diskutohet edhe për përgatitjen e seancës së ardhshme. Megjithatë, ajo çka dihet deri tani është se opozita nuk ka ndërruar qëndrim dhe do të insistojë të mos mbahet asnjë seancë, deri në tërheqjen e marrëveshjes me Serbinë dhe atë me Malin e Zi.
Sipas njoftimit të Kuvendit, në këtë mbledhje të kryesisë do të miratohet procesverbali nga mbledhja e mëparshme, si dhe do të diskutohet për përgatitjen e seancës plenare, në të cilën, përveç kohës për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, do të miratohet procesverbali nga seanca e mëparshme.
Kryesia po ashtu do të vendosë nëse në seancën e ardhshme do të shqyrtohet projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e Bashkëpunimit për Zhvillim: “KSV/018: Mbështetje Institucionale dhe Teknike për Sistemin e Furnizimit me Ujë në Rajonin e Mitrovicës”, projektligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, projektligji për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar dhe projektligji për Mjekësinë Ligjore.
Po ashtu, sot do të vendoset nëse deputetët në seancën e radhës do të shqyrtojnë projektligjin për patentë shofer, projektligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, projektligjin për letërnjoftimin.