Lajmet e fundit
Kryetari i Pejës mbyll shkollën në një fshat, reagojnë banorët

Kryetari i Pejës mbyll shkollën në një fshat, reagojnë banorët

Komuna e Pejës ka marrë vendim për mbylljen e shkollës fillore të fshatit Nepole me arsyetimin se nuk plotësohen kushtet për mësim, por banorët e këtij fshati e kundërshtojnë vendimin.
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, vendosi që 23 nxënësit e fshatit Nepole të shkollohen në Gllogjan.

“Arsyeja e parë është se nuk i ka plotësuar kushtet për shkollë, edhe pse aty 15 vite kanë vijuar mësimin nxënësit. Arsyeja e dytë është se nuk ka numër të mjaftueshëm të nxënësve. Arsyeja e tretë është se shkolla fillore “Migjeni” në Gllogjan është shkollë moderne dhe i plotëson të gjitha kushtet për ata që ta vijon mësimin. Edhe fshati Nepole nuk bën përjashtim dhe është afër tri kilometra larg Glogjanit, dhe munden nxënësit të vijojnë mësimin në shkollën fillore në Gllogjan”, shpjegoi Muhaxheri lidhur me vendimin e tij.

Shkolla në fshatin Nepole ka qenë paralele e ndarë e shkollës fillore “Migjeni” në Gllogjan. Ky aneks i kësaj shkolle kishte shërbyer me shumë se 40 vite deri në klasën e katërt për banorët e fshatit.

Në kundërshtim të vendimit, dhjetëra banorë të Nepolës ishin grumbulluar për ta shprehur shqetësimin për KALLXO.com. Ata thanë se shkolla nuk e ka gjendjen aq të keqe sa për t’u mbyllur.

Banori Hil Krasniqi, tha për KALLXO.com se para 40 viteve ishte njëri ndër themeluesit për ndërtimin e kësaj shkolle. Ai theksoi sakrificat e fshatit për ndërtimin e shkollës.

shkolla

“Krejt fshati këtë shkollë e ka ndërtuar me para të fshatit, edhe në atë kohë në gjendje shumë të ligë. Dikush ka shitur ndoshta edhe një lopën që ka pasur për ta ndërtuar këtë shkollë”, tha Krasniqi.

Kryetari i fshatit Nepole, Luan Krasniqi, tha për KALLXO.com së për shkak të gjendjes jo të mirë në shkollë, vitin e kaluar kërkuan që institucionet komunale të intervenojnë në renovimin e shkollës.

“Po ne na dul e kundërta. Ai [kryetari] pas një viti u përgjigj me mbylljen e shkollës duke mos na pyetur fare”, tha kryetari i Fshatit Nepole.

Edhe mësimdhënësit e shkollës thanë për KALLXO.com së janë të indinjuar me vendimin.

“Ne nuk luftojmë për vendin e punës, për mua njësoj si këtu si atje, njësoj është vendi i punës. Ne na interesojnë fëmijët e këtij vendi që janë të vegjël”, tha mësuesi Krasniqi.

“Ka marrë një vendim gojor pa e njoftuar kryetarin e Bashkësisë Lokale, nën një. Nën dy,është dashur të njoftohet kryetari i Këshillit të prindërve dhe nën tre është dashur të njoftohet drejtori i shkollës “Migjeni” në Gllogjan. Do të thotë këto tri njoftime nuk janë bërë”, theksoi Antoni.

Ndërkaq, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha së fëmijëve të këtij fshati do ju sigurohet transporti për të udhëtuar në shkollën e fshatit Gllogjan. Ai tha se njëjtë si në fshatin Nepole do të mbyllen edhe paralele tjera të shkollave të cilat nuk i plotësojnë kushtet për mësim cilësor.

Muhaxheri njoftoi se objekti i shkollës në fshatin Nepole nuk do të rinovohet për t’u funksionalizuar si objekt shkollor.

Leave a Reply

Your email address will not be published.