Lajmet e fundit
Ku është respekti i ktynehershit?!

Ku është respekti i ktynehershit?!

Shkruan: Enis Reçica

Të thuash mirëdita dimë të gjithë ne, por sa po e përdorim këtë mënyrë më të thjesht të respektit sot?

Të flasësh për respektin në kohën e sotme, mbase për dikë tingëllon si absurde, por nga ana turpëruese mund të thotë ndonjëri nga ne se çfarë është ky nocion. Jo që nuk e dimë kuptimin e  parë të kësaj fjale, por nuk duam të dimë se si duhet të zbatohet ai në realitetin që po e jetojmë.  Është për t’u shqetësuar ky fakt që, në kohët e hershme ne si popull jemi karakterizuar me një respekt të ndërsjellë në mes njeri-tjetrit, e sot çfarë po ndodh me praktikimin e kësaj fjale.  Fjalë e cila ka kuptimin e një dashurie miqësore dhe më shumë se kaq, respekti është kuptuar si një barë shëruese për të mbajtur një shoqëri në një jetë të tërë.

Kohë, gllabëruese e sendeve dhe ti pleqëri e ligë, gjithçka gëlltisni ju.  Në mënyrë ironike e them këtë, ngase pasardhësit tanë të njollosur e të zhbërë nga dëmet e kohës, ata prapë se prapë respektin e kanë mbajtur si për miqtë ashtu dhe për armiqtë. Gjeneratat e kaluara janë mburrur me respektin  për njëri-tjetrin që mbanin pa asnjë qëllim të dyanshëm. Kanë nderuar njëri-tjetrin vetëm se i takonin të njëjtit qytet, fshat, apo edhe fisi. Pra, ishte kohë e dashurisë vëllazërore edhe pse kohë me të meta të shumta nga ana kulturore e ekonomike. Siç e dimë ishte kohë e vështir ku as liri nuk kishin baballarët e gjyshërit tanë por kishin më të vlefshmen atë që quhet “dashuri për njëri-tjetrin”.

Sot ne e dëgjojmë shpesh fjalën “eh përpara u kënaqshim” nga të moshuarit e pikëlluar, të cilët po jetojnë kohën moderne së bashku me ne. Kjo tek ne tingëllon mjaft çuditshëm dhe shpesh themi “po si janë kënaqur kur s’kanë pas kurrfarë kushte?”. Këtu qëndron esenca.  Gjarpërisht kjo na dërgon në një kahe tjetër dhe lehtësisht mund të përballemi me një hipotezë të çuditshme “sa më të varfër, aq më të lumtur”, apo nga ana e një kritiku mund të themi “nuk kanë ditur të kënaqen”.

Këto hipoteza mund t’i vërtetojmë në ditët e sotshme, në ditët kur i kemi të gjitha të mirat, por kënaqësi a kemi? Në këtë përgjigje jemi skeptik të mëdhenj.  Jo, që nuk dimë çfarë është kënaqësia por këto kënaqësi të sotme janë aq të shkurtra sa nuk dimë a ishte kënaqësi ajo që përjetojmë në momente të caktuara.

Më sipër e ceka, se gjeneratat e kaluara kanë pasur mirëqenie dhe respekt edhe me armikun.  E kanë urryer por e kanë respektuar në fushën e betejës. Këtë respekt të anasjelltë e hasim në fillimet e luftërave dhe në vet fushën e betejës, për dallim nga sot që secili nga ne mundohemi ta demoralizojmë apo ta vrasim armikun mbas shpine.

Çfarë po ndodh me ne sot? Ku gjendet shoqëria jonë në raport me respektin?

Dua të ndaj me gjithë rinin një ndodhi të përjetuar ditëve të fundit. Gjersa ecja pranë shkollës fillore, takova një grup fëmijësh dhe nga kureshtja u thash “mirëdita”. Çfarë ndodhi? Ishte  diçka e papritur, asnjëri nga fëmijët jo që nuk më përshëndeti, por as nuk më shikuan. Me veten thash, mos ndoshta nuk e din çfarë kuptimi ka kjo fjalë, apo nuk e mësojnë më në shkolla.

Nuk dua të kritikoj në mënyrë negative, por të rrëfej realitetin që po na shpërfaqet në mesin tonë. Realiteti është i atillë, ku respekti ekziston vetëm si fjalë e në praktikë po realizohet në atë kontekst që nëse kemi përfitime vetjake e respektojmë tjetrin, ndryshe një gjë të tillë nuk e bëjmë fare. Andaj duke u frymëzuar nga një fjalë e popullit se “koha nuk na ndryshon, por vetëm na përsos” , shpresojë që edhe ne si të rinj të vendit tonë të ri, të përsosemi në aspektin e respektimit të ndërsjellët dhe ta duam tjetrin me interesin e vetëm që të jemi të shoqërueshëm. Për ta realizuar këtë aspiratë duhet të jemi shok për të pasur shok.

Autori është student master, Integrime Evropiane dhe Administratë Publike

Leave a Reply

Your email address will not be published.