Pothuajse çdo ditë zënë vend në pikat kryesore të kryeqytetit. Bredhin edhe nëpër lokale.
Zakonisht me një fotografi në duar, përmes së cilës mundohen të tregojnë qëllimin përse kanë dalë. Një melodi e dhimbshme e shoqëron zërin i cili thotë “Ndihmoni 10 vjeçarin…”, “Ndihmoni vajzën që vuan nga leukemia…”, “Vogëlushi ka nevojë për ndihmën tonë..”. Shumë herë këto thirrje kanë dalë të jenë të rrejshme dhe mbledhja e parave për ta ka dalë të jetë e pa adresë.
Institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e organizatave jo-qeveritare, tregojnë për një numër të vogël të OJQ-ve që raportojnë për të hollat që mbledhin. Shumë prej tyre nuk raportojnë financiarisht.
Kështu, kontributi i qytetarëve, me qëllim bamirësie, nuk dihet se ku e ka stacionin e fundit. Ligjet e Kosovës i obligojnë të raportojnë financiarisht vetëm ato organizata jo-qeveritare që e kanë statusit e përfitimit publik. Aktualisht, të tilla janë vetëm 240, prej tyre 174 vendore e 66 ndërkombëtare. Derisa, mbeten 8369 OJQ të cilat nuk kanë status të përfitimit publik, 7857 vendore dhe 512 ndërkombëtare. Nga këto nuk kërkon askush llogari.
Bajram Kosumi, drejtor i Departamentit për Regjistrim dhe Ndërlidhje me OJQ-të, në Ministrinë e Administratës Publike, tha për KosovaPress se përkundër ligjit që nuk i obligon të gjitha të raportojnë financiarisht, ka organizata q ë për transparencë bëjnë raporte të tilla.
Ndërsa për ato pa status të përfitimit publik, thotë se derisa nuk ka ligj nuk mund t’i detyrojnë të raportojnë.
“Bazuar në dispozitat e ligjit mbi Asociimit dhe në udhëzimin administrativ për regjistrimin e organizatave jo-qeveritare, obligim për të raportuar mbi raportet vjetore, financiare dhe aktivitetet, kanë vetëm ato organizata të cilat kanë statusin e përfitimit publik. Ndërsa ato që nuk kanë statusin e përfitimit publik nuk e kanë një obligim ligjore të tillë”, thotë ai.
Në Qeverinë e Kosovës nuk duket të ketë ndonjë plan për të nxjerrë një rregullore apo të hartim të ndonjë ligj përkatës, që i obligon të gjitha OJQ-të të raportojnë se çfarë me të vërtetë bëjnë me para të e mbledhura nga qytetarët e donatorët e ndryshëm. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, tha se OJQ-të janë të obliguara t’i raportojnë vetëm donatorëve të tyre.
“Ata janë të obliguar që këto raporte t’i dërgojnë tek vet donatorët, me qëllim që mos të kenë profit por të shërbejnë për të mirë të publikut. Është Ministria e Administratës Publike e cila e ka një rregullativë që është shumë bashkëkohore dhe i monitoron punën e OJQ-ve, dhe për çfarëdo ankese është drejtoria përkatëse në MAP, e cila i monitoron në baza të rregullta mujore punën e OJQ-ve, dhe shpesh herë varësisht prej nevojave, ka dërguar edhe vërejtje apo sugjerime”, tha Abrashi.
Në Komunën e Prishtinës thonë se kanë shumë kërkesa për leje, për t’u vendosë n ë një hapësirë të caktuar në mënyrë që të kryejnë aktivitetin e tyre.
Habib Qorri, shef i sektorit për Shërbime Publike, tha për KosovaPress se meqë nuk mund të kontrollojnë organizatat që prezantohen me karakter humanitar, ata rezervohen shumë në dhënien e lejeve për shfrytëzim të hapësirës publike.
“Kemi kërkesa të shpeshta kur kemi organizatat të ndryshme jo-qeveritare që kërkojnë leje për të dalë aty për të vendosë një tendë për të kërkuar mjete financiare, për raste të ndryshme me karakter humanitar. Mirëpo, duke pas parasysh që ne nuk e kemi atë mundësinë e kontrollit të këtyre organizatave dhe nuk kemi mundësi së paku të kemi një raport, që pas grumbullimit të atyre jetëve, destinimin se ku shkojnë mjetet e grumbulluara, atëherë ne jemi shumë të përmbajtur në dhënien e lejeve” , thotë ai.
Ai tregon se raste të shpeshta ka edhe nga nxënësit e shkollave të ndryshme, të cilët thonë se duan të mbledhin fonde për ndonjë shoqe a shok të shkollës i cili ka nevojë për shërim. Për këto, Qorri thotë se është institucioni i shkollës ai që e mbikëqyr rrjedhën e atij aktiviteti.
Lejet ju lëshohen vetëm atyre që drejtoria e Shëndetësisë ka të verifikuar në dokumentacionin për vërtetësinë e ngjarjes, përndryshe kërkesa refuzohet, thotë Qorri.
Ndërsa deputetja e Kuvendit të Kosovës, Time Kadrijaj, i tha KosovaPress-it se duhet të hartohet një rregullore e cila do t’i detyronte organizatat jo-qeveritare të japin raport financiar për veprimtarinë e tyre në Kosovë.
“Secila organizatë që regjistrohet dhe funksionon në Kosovë, duhet me di të se ku e ka bazën e financimit. Nëse nuk kërkojmë llogari financiare duhet të dimë se prej cilës organizatë. Ka shumë organizata shoqëri civile që edhe nëse nuk i marrin fonde nga buxheti i Kosovës, tregojnë që marrin fonde prej OSBE-së, ose USAID, ose organizatë tjetër. Duhet me ditë thjeshtë çka po ndodhë në Kosovë….Ish dashtë të hartohet një rregullore e cila domosdoshmërisht të detyrojë këto organizata të japin një raport edhe financiar edhe të veprimtarisë së tyre në Kosovë”, thotë ajo.
Pas luftës së fundit, në Kosovë kanë ardhur shumë organizata jo qeveritare, që shumë prej tyre nuk e kanë regjistruar veprimtarinë e tyre, duke vazhduar edhe sot e kësaj dite të veprojnë pa licencë.
Nga ana tjetër janë edhe shumë organizatat të akredituara në Kosovë, të cilat janë regjistruar si OJQ humanitare e që nuk bëjnë të ditur se si i menaxhojnë të hollat që i mbledhin.
Aktualisht në Kosovë, dihet se janë 8097 organizata jo-qeveritare, ku prej tyre vetëm 240 bëjnë të ditur raportin financiar, duke mbet kështu edhe 8369 OJQ që nuk japin llogari askund.