Hajredin Kuçi , Ministri i Drejtësisë, duket se nuk po mundet ta pranoj faktin që për shef në Qeveri ta ketë Isa Mustafën.
Sot në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Administratës Publike dhe Prokuroria e Shtetit, u përurua objekti i Prokurorisë Themelore në Gjilan, ku pjesëmarrës ndër të tjerë ishin ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie, e edhe kryeministri Isa Mustafa.
Por ajo që e bën më të veçantë këtë ngjarje, është njoftimi për media i dërguar nga ministria të cilën e drejton Kuçi, shkruan lajmi.net.
Aty bie në sy një veprim paksa i pazakontë, pasi në të dy fotot e dërguara mediave për pasqyrim të kësaj ngjarjeje, vërehet një përkujdesje për të mos e paraqitur kryeministrin Isa Mustafa.
Ndërsa, e kundërta ndodhë me ambasadorin amerikan. Ky i fundit shfaqet në qendër të fotografisë, e cila është prerë pikërisht në pjesën ku ndodhet shefi në qeveri i ministrit Kuçi.
Ky veprim i zyrës për media të Ministrisë së Drejtësisë, mund të duket edhe si hakmarrje ndaj zyrës për media të Kryeministrit, pasi në njoftimin paraprak të dërguar nga këta të fundit, njëjtë është vepruar me praninë në foto të ministrit Kuçi.
Në fotot që kryeministria u ka dërguar mediave për këtë ngjarje, nuk vërehet prania e ministrit Kuçi, edhe pse ngjarja ishte e organizuar pikërisht prej resorit qeveritar që ai drejton.