Lajmet e fundit

Kujtesa historike dhe Hipokrizia e përhershme

Nga Artur Zheji

Sa herë kemi nevojë për të folur për të Ndershmen, nga pluhuri i harresës apo nga arkivat e lëna mbas dore, nxirren biografitë magjepsëse të disa pak shqiptarëve, që i rezistuan kohës së tyre, me kryet lart dhe zemër të bardhë, si edhe ishte At Zef Pllumi.

Hetuesi Çoku, për të cilin, zot At Pllumi do të ndjente keqardhje, sapo mori një medalje dhe tash do t’i duhet ta dorëzojë atë, sepse shumëkush ngriti me forcë “fantazmën” e të Shenjtit Pllumi, nga bota e Përtejme. Kryeministri u tërhoq dhe mori mbi vete lapsusin, duke ftuar në bashkëfajësi të sforcuar, ish-Presidentin Berisha për dekretet e viteve 1995.

Pra si të thuash, në debatin politik më të fundit, At Zefi, u ringjall dhe në emrin e tij, u bë një potere dhe një sherr aspak i vogël kombëtar mediatik. Të gjithë pra, u rreshtuan, kush me hir e kush me pahir, në krah të tij, duke e tundur si flamur Shenjtërinë e tij. Ata që denoncuan skandalin, si edhe ata që premtuan publikisht ta korrigjojnë atë, duke filluar nga Rama.

Padyshim që Zef Pllumi e meriton këtë “betejë”, për kah integriteti dhe morali absolut tokësor që mishërohen në njeriun e ndryshëm dhe në fisnikërinë e pazakontë, që ndryhej në trupin e tij imcak. Por nuk është kjo Çështja.

Sepse ish-hetuesit Çoku, që kur e sheh sot në foto, duket një portret i dhembshur pensionisti, mund t’i hiqet medalja e shumëpërfolur e pastaj, At Zef Pllumin, do ta varrosin edhe njëherë tjetër, në Mbretërinë e Heshtjes së Thellë.

Sepse ajo Gjë e Madhe, në kufijtë e papërsëritshmes që ai ndërtoi, përmes jetës dhe qëndresës së tij, nuk i duhet më askujt prej atyre që sot merren me politikë.

Unë nuk e di se çfarë planesh mund të ketë Ministria e Kulturës dhe ministrja Mirela, për Zef Pllumin. Sepse, nuk e di, as edhe se çfarë prodhon kulturalisht të veçantë kjo Ministri, sepse e vërteta është që aty, nuk ka tendera shumëmilionëshe si në Ministritë e tjera. Sepse edhe në debatin e zjarrtë për buxhetin e shtetit, nuk dëgjova gjë se çfarë projektesh kulturore të spikatura do të ketë Shqipëria vitin e ardhshëm.

Nëse shumë të këqija e shumë turpe na vijnë nga një mungesë e thellë e kulturës dhe nga lulëzimi i antikulturës, shkak pse na mbajnë akoma si një popull gjysmë të egër në mes të Europës, që dikur paraardhësit tanë, 2-3000 vite më parë, thuhet se e kanë pjellë, atë, Europën,  ne flasim për gjithçka, por jo për vepra të mirëfillta kulturore. Gjithçka që kemi sot, është mbetje e asaj që kemi trashëguar 25 vite më parë. Galeria e Arteve, Teatri i Operas dhe i Prozës, Muzeu Kombëtar, Akademia e Arteve, Pallati i Kongreseve, e më the të thashë.

Gjithashtu, unë nuk e di nëse Republika e Shqipërisë, ka apo nuk ka ndonjë Akademi të mirëfilltë Shkencash, apo ka apo jo, ndonjë filial Albanologjik, që së paku, thjesht të stivosë dhe të ruajë vlerat e Historisë sonë kombëtare, të krijuar vetvetiu dhe jashtë asaj godine.

Unë nuk e di se çfarë u duhet politikanëve shqiptarë sot, vepra dhe modeli i At Zefit, një pasqyrë e shndritshme morale, që sigurisht mund të bëjë për turp shumicën e tyre. Sigurisht një pasqyrë e tillë, bën për turp, edhe shumicën prej nesh. Por të paktën ne, kush më shumë e kush më pak, kemi raste që e ndjejmë turpin e të mos qenit, në atë përsosmëri morale, si frati françeskan.

Beteja e Medaljes, ishte pra, në thelb, një betejë hipokrite. Ishte më shumë një “zënie në faj” e kundërshtarit, por kurrsesi nuk ishte një betejë e mirëfilltë Modelesh Morale.

E njihja Fratin për së afërmi. Mik i thellë i atit tim, Petro Zhejit. E kam takuar disa herë në Tiranë dhe disa herë në Romë. Përmes asaj njohjeje, në disa biseda zbulova edhe trishtimin e tij më të thellë, që e ndante me mikun e tij, Petron. Për ateizmin e thellë të shqiptarëve të sotëm. Të politikës së sotme në radhë të parë, që ishte po aq, realisht ateiste dhe  mosbesuese, sa ajo e mëparshmja. Ndërsa populli, kjo turmë e sotme, ka përqafuar antimoralin, si fenë e vet të re, nën drejtimin e këtyre barinjve të rinj politikë dhe jo vetëm. Ndonëse shumica syresh vizitojnë politikisht dhe me përkulje protokollare, Selinë e Shenjtë dhe Papën.

Por Papa dhe Roma, nuk është as Krishti dhe as Shqipëria, thuhej në ato biseda. Dhe ndër viset tona, po rritet e lulëzon një popull pa kodet morale më të thjeshta.

Gënjeshtarët, Spiunët, të Pabesët, janë sot në krye të punëve e ngado, ankoheshin miqtë, npërvuajtjen e tyre, për Shqipërinë e mbas viteve ’90. Për fare pak spiunllëk, për capak gënjeshtra e capak pabesi, françeskani i urtë do t’i kishte shmangur 23 vite burg të randë Spaçi dhe jetën e mëtejshme n’vorfni e nthjeshtësi t’pabesueshme, n’shërbim të Zotit dhe të së Mirës.

Modeli i tij pra, e ka humbur në të vërtetë Betejën e vet në Shqipërinë e hipokritëve të shumtë, ku për korrektesë logjike, më duhet jo rrallë të rendis edhe veten. Dhe kjo është e dhimbshme dhe nuk premton mirë për këtë vend.

Nuk është thjesht çështje feje apo dogme, apo kishe e xhamie, as ramazan dhe as meshë, është çështje e Kufirit mendor dhe kulturor, ndërmjet së Mirës dhe së Keqes. Një Kufi që shkelet çdo ditë dhe çdokund dhe pa gërvishtjen më të vogël të ndjesisë së fajit.

Sepse shqisa që ndan të Mirën nga e Keqja, të Drejtën nga e Padrejta, nuk rritet më kulturalisht në shpirtrat tanë, në shumicë  të zvetënuar, që janë kësisoj, shpirtra sakatë dhe të paskrupullt. Mendoj se kjo është edhe arsyeja se pse ne shqiptarët nuk kemi as kufi dhe as sens mase, në të këqijat që i bëjmë njëri-tjetrit, duke dënuar kështu kolektivisht vetveten, për një kohë shumë të gjatë. Ndoshta që nga monarkia e deri më sot.

Edhe sikur ta mbajë zoti Çoku medaljen e veteranit, edhe sikur ta kthejë apo t’ia heqin, nuk se ndryshon diçka thelbësore në jetën tonë të përgjithshme.

Anulimi zyrtar apo burokratik i medaljes, nuk na bën aspak më të mirë dhe aspak më njeridashës, nga dhe ç’jemi sot. Sepse ne e kemi humbur atë Betejë për mosmohimin e Zotit, në emër të mosmohimit të njerëzores, për të cilën mbijetoi i papërlyem burgjeve At Zef Pllumi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.