Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PPK) ka shpallur ndërprerjen e aktiviteteve guerile në Turqi.
Grupi militant ka bërë njoftimin të shtunën, duke thënë se luftëtarët e tij do të shmangin veprimet që mund të parandalojnë zgjedhjet “e drejta” që do të mbahen në Turqi, më 1 nëntor, njofton Radio Europa e Lirë.
Në njoftim nuk përmendet drejtpërdrejt shpallja e armëpushimit.
Njoftimi po ashtu nuk përmend shpërthimet në Ankara, në të cilat kanë humbur jetën së paku 86 njerëz.
Shënjestër e shpërthimeve ka qenë një marshim që bënte thirrje për t’i dhënë fund dhunës midis forcave turke dhe rebelëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.
Partia e Punëtorëve të Kurdistanit konsiderohet organizatë terroriste nga Turqia, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
Ajo ka shpallur fushatën e saj separatiste në vitin 1984 dhe, qysh atëherë, mbi 40,000 njerëz janë vrarë.