Lajmet e fundit

Kurti nuk ka imunitet nga ndjekja prej organeve të drejtësisë

Ish-kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, përveç që rrezikon të arrestohet për shkak të hedhjes se gazit lotsjellës në seancën e së enjtes në Kuvend, mund të përballet edhe me suspendim për disa seanca.

Kështu kanë vlerësuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, pasi, sipas tyre, në bazë të Rregullores së Punës së Kuvendit, Kryesia e legjislativit, apo kryetari mund të vendosin për suspendimin e deputetit për shkak të pamundësimit të zhvillimit të seancës.

Albert Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për “Zërin” se në këtë fazë është vështirë t’i hiqet imuniteti i deputetit.

“Është vështirë që qysh në këtë fazë t’i merret imuniteti, për shkak se deputeti mund të ndalohet apo arrestohet për vepra të rënda penale që janë të dënueshme me pesë apo më shumë vjet dënim. Kurse për t’iu hequr imuniteti duhet që Kuvendit t’i shkojë një kërkesë prej organeve të rendit dhe në këtë rast, Komisioni për Mandate dhe Imunitete t’i rekomandojë seancës dhe më pas vendoset me shumicën e votave të deputetëve”, ka sqaruar Krasniqi.

Por, ai më tej ka thënë se deputetët kanë imunitet vetëm për veprimet që janë kryer në kuadër të funksionit të deputetit, prandaj, sipas tij, përdorimi i gazit lotsjellës nuk është detyrë e deputetit, prandaj Krasniqi thotë se Albin Kurti nuk ka imunitet që të ndiqet nga organet e drejtësisë për këtë veprim.

Krasniqi më tej ka thënë se deputetët që e pengojnë zhvillimin e seancës së Kuvendit, mund të përjashtohen nga ajo seancë, por se nuk është e përcaktuar nëse mund të suspendohet për seanca të tjera.

“Në mënyrën sesi janë duke rrjedhur punimet në Kuvend nuk është që do të përfillej suspendimi edhe në rast se merret ai vendim, por nuk ka ndonjë dispozitë të tillë në Rregulloren e Kuvendit, ku suspendohet për ndonjë kohë deputeti nga pjesëmarrja e tij në seancat e Kuvendit”, ka shtuar Krasniqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.