Mediet ruse pohojnë se Rusia ka arritur në pak ditë në luftë kundër “Shtetit Islamik” më shumë se koalicioni ushtarak i drejtuar nga SHBA brenda një viti. Vlerësime të ekspertëve perëndimorë. Steven Piffer çuditet për raportet e medieve ruse. “Pohimi se forcat e armatosura ruse kanë arritur në pak ditë të luftës kundër “Shtetit Islamik” më shumë se sa koalicioni i drejtuar nga SHBA është i çuditshëm”, thotë në bisedë me DW eksperti i Brookings Institution në Uashington. Pifer tërheq vëmendjen në faktin se vetëm një pjesë e vogël e sulmeve ajrore ruse janë të drejtuara kundër Shtetit Islamik. Kolegu i tij i Institutit, Michael O’Hanlon thekson se veprimet ruse kundër IS janë “shumë joefektive”. Goditjet ruse nga ajri mund të quhen vetëm atëherë si të suksesshme, po të kenë si objektiv që ta mbështesin Presidentin Bashar Assad.
Një ekspert tjetër i Uashingtonit, Stephen Blank nga American Foreign Policy Council mendon se raportet ruse në medie janë tipike “qëndrime ruse të të mbajturit me të madh”. Është e pamundur që të arrish “brenda pak ditësh me disa bomba atë për të cilën më parë nevojiteshin muaj.”
Raketa nga anije lufte në Detin Kaspik
Koalicioni ushtarak ndërkombëtar i drejtuar nga SHBA ka nisur që prej më shumë se një viti sulme ajrore kundër IS. Uashingtoni deklaron se pjesa më e madhe e sulmeve ndërmerren mbi territorin irakian. Sipas Pentagonit, deri në fund të shtatorit ka pasur më shumë se 7000 sulme nga ajri, prej tyre 4500 qenë kundër forcave të IS në Irak.
Rusia i nisi në fund të shtatorit sulmet e saj, gjoja kundër IS. Deri tani këto sulme përqendrohen në Siri. Por në mediet ndërkombëtare dhe ruse spekulohet për një zgjerim të aksioneve ruse në territorin irakian. Forcat e armatosura ruse, thotë Ministria e Mbrojtjes në Moskë, që prej fillimit të operacionit të tyre ndërmarrin rreth 20 goditje ajrore në ditë. Të mërkurën, Rusia përdori për herë të parë luftanije në Detin Kaspik, prej të cilave u lëshuan raketa ndaj objekteve në Siri.
Moska dhe Uashingtoni kanë objektiva të ndryshme
Michael O’Hanlon beson se Rusia synon të mbështesë në radhë të parë Assadin dhe bazën e marinës së tij në portin sirian të Tartusit. Një operacion me trupa këmbësorie të Rusisë, eksperti i SHBA nuk e përjashton. Por një operacion i tillë nuk do të ishte i madh.
Alexandra de Hoop Scheffer e German Marshall Fund në Paris mendon se Presidenti rus, Vladimir Putin mund të dërgojë të ashtuquajtur vullnetarë në Siri. Kjo ka qenë taktika ruse që para aneksimit të Krimesë në mars 2014. Hans Georg Ehrhart, nga Instituti i Kërkimeve të Paqes dhe të Sigurisë në Hamburg thotë se qeveria ruse deklaron se do të veprojë kundër IS. Por Perëndimi thotë se bombardohen edhe baza të Ushtrisë së Lirë Siriane, gjë që Moska e kundërshton.
Ekspertët e pyetur nga DW janë të mendimit se angazhimi ushtarak rus në Siri e vështirëson gjendjen në rajon. De Hoop Scheffer thotë se është e bindur që SHBA, për të penguar një destabilizim të mëtejshëm të rajonit, do të kërkojnë një bashkëpunim politik dhe ushtarak me Rusinë në Lindjen e Afërme.