Opozita e bashkuar e ka vazhduar protestën e saj në tenda në sheshin ‘Skënderbeu’ të Prishtinës në kundërshtim të dy marrëveshjeve me Serbinë e Malin e Zi, njëherësh edhe të zgjedhjes së presidentit të ri, të paralajmëruar për nesër.
Krerët e opozitës, nëpërmjet një konference, kanë bërë thirrje që ditën e premte në mëngjes të vijnë sa më shumë qytetarë për ta pamundësuar zgjedhjen e Hashim Thaçit president.
Temperaturat e ulëta të natës kanë shtyrë që protestuesit të shtojnë numrin e fuçive, në të cilat ndezin zjarr për t’u ngrohur. Qytetarët shprehen këmbëngulës për të protestuar dhe thonë se nuk po përballen me ndonjë vështirësi.
Ndërsa në komunën prej nga vjen kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi – Skenderaj, kanë nisur përgatitjet për festë. Po ashtu janë dhënë disa njoftime për organizimin e ardhjes në Prishtinë, të premten, kur pritet votimi për Thaçin president. Këshilltari i Kuvendit Komunal në Skënderaj, Albert Rexhepi, ka postuar në Facebook njoftimin për nisjen e autobusëve falas nga Qirezi.
KTV-ja merr vesh se edhe fshatrat e tjera dhe qyteti i Skenderajt do të kenë organizime të njëjta për ardhjen në Prishtinë.
Paralajmërime për ardhjet të premten në sheshet e Prishtinës për të festuar zgjedhjen e presidentit, kanë paralajmëruar edhe ithtarë të tij nga komuna të tjera, Obiliqi, Gjilani, Prizreni…
Kuvendi i Kosovës ka kohë deri më 7 mars të zgjedhë presidentin e ri ose të thërrasë zgjedhje të parakohshme.