Edhe pse kanë kaluar më shumë se një muaj, që nga përmbyllja e sesionit vjeshtor, Kuvendi i Kosovës, po vazhdon pushimin. Ende nuk ka ndonjë paralajmërim, për mbajtje të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku dhe do të vendoset për datën e mbajtjen së seancës së radhës.
Burime brenda Kuvendit, bëjnë të ditur për KosovaPress, se Kryesia e Kuvendit nuk pritet të takohet, së paku jo para ditës së mërkurë.
E zyrtarë të Kuvendit, nuk preferojnë të flasin për ditën, se kur pritet që të mblidhet Kryesia. Ismet Krasniqi, sekretar i Kuvendit, i kontaktuar nga KosovaPress, nuk preferoi të flasë rreth ditës së mundshme, kur pritet takimi i Kryesisë së Kuvendit. Përgjigjja e vetme e tij ishte që t’i referohemi web faqes së Kuvendit, aty kur paralajmërohet edhe mbajtja e Kryesisë së Kuvendit.
“Mund t’i referoheni vetëm web faqes së Kuvendit. Aty mund të shihni se kur do të mbahet seanca”, tha Krasniqi nëpërmjet telefonit.
E partitë opozitare mbeten të vendosur që të vazhdojnë me bllokadën e Kuvendit. Ata dhe më tej deklarojnë, se nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë, që Kuvendi t’i vazhdojë punimet normalisht dhe se bllokada nga ana e tyre do të vazhdojë, për të pamundësuar punën e Kuvendit.
Zgjim Hyseni nga Lëvizja “Vetëvendosje”, thotë se Kuvendi nuk mund t’i vazhdojë seancat e rregullta, përderisa nuk do të ketë reflektim dhe dorëheqje nga ana e Qeverisë së vendit. Ai thotë se me situatën aktuale, nuk mund të ketë funksionim normal të institucioneve, për sa kohë kemi një qeveri anti-kushtetuese në pushtet.
Hyseni: S’do të lejojmë mbajtjen e seancave
“Ne nuk do të lejojmë të sillemi sikur gjithçka është në rregull dhe po vazhdojmë punën në institucione, për shkak se prej ditës së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kemi të bëjmë me një sjellje arrogante të Qeverisë së Kosovës ,e cila është rebelim kundër Republikës…Ajo çfarë dimë me siguri është që ne nuk do të lejojmë mbajtjen e seancave të rregullta plenare, për sa kohë nuk kemi reflektim dhe dorëheqje të kësaj Qeverie për t’i hap rrugë vendit, që të mbajë zgjedhje dhe të shohim në rast se do të fitojë opsioni i ‘Zajednicës’ ose ai i Kosovës sovrane. Ne e dimë që nuk do të lejojmë mbajtjen e këtyre seancave dhe për mënyrat dhe format e veprimit besoj që do t’i bëjmë publike dhe do të merren vendimet me kohë”, pohoi Hyseni.
Hyseni nuk përjashton dhe mundësinë e bllokimit të mbledhjeve të komisioneve parlamentare.
E në anën tjetër nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Xhavit Haliti tha për KosovaPress, se Kuvendi nuk mund të bllokohet, pavarësisht planeve të opozitës, për të vazhduar bllokadën. Ai thotë se Kryesia do të takohet dhe do të diskutojë rreth mbajtjes së seancës, e cila sipas tij mund të shtyhet për një apo dy ditë, por jo të bllokohen në tërësi.
“ Kryesia e Kuvendit, e ka për detyre me thirr seancën. Në qoftë se opozita mendon se s’duhet me mbajt seancë, është problem i tyre se si i kanë bërë planet. Ne e kemi për detyre me e thirr seancën. Duhet të diskutohet me Kryesinë, me grupet parlamentare. Ne mund ta shtyjmë seancën, për një ditë apo dy, por ne s’mund ta bllokojmë Parlamentin. Ne do të mbajmë mbledhje e Kryesisë dhe do të vendosim”, tha ai.
Ndryshe më 17 dhjetor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës ka përmbyllur sesionin vjeshtor, pa praninë e partive opozitare, për t’i ikur kështu bllokadës së paralajmëruar nga opozita.