Lajmet e fundit

Lagjja e Trimave po ndërtohet, banorët këtë dimër nuk do kthehen në shtëpi (Video)

Pas 6 muajsh, një fotografi tërësisht e ndryshme në Lagjen e Trimave të Kumanovës. Thuajse asgjë nuk kishte mbetur nga ajo që kishte ndodhur më 9 e 10 maj.

66 shtëpi të dëmtuara nga konflikti po ndërtohen e rindërtohen. Azem Ibrahimi është një nga banorët e dëmtuar të cilin e rastisëm në rrugën “Pero Ilievski”, i cili mbikëqyrte se si po zhvillohen punët ndërtimore në shtëpinë e vet.
Për TV 21 ai deklaroi se nuk dihet se a do të kthehet në shtëpinë e vet së shpejti. Deri verës do të rrijë dikund me qira me gjithë familjen.

“Erdhëm deri te pllaka e dyshemesë. Po qe se do të mbajë moti, do të kemi mundësi të punojmë edhe më shumë. Nëse jo, atëherë do të vazhdojmë në pranverë. Deri atëherë do të jemi duke banuar me qira”, tha Ibrahimi.

Banorët e Lagjes së Trimave nuk dëshirojnë t’u kujtohet nëntë maji kritik, për arsye se i kthen në kohën kur popullata ishte në tronditje. Porosisin të mos përsëritet ai moment dhe të gjendet fund për ngjarjen. Isa Lutfija thotë se nga shteti ka marrë vetëm 9.000 euro të cilat nuk janë të mjaftueshme për t’u sanuar dëmi, e ku më të tejkalohet frika e pësuar.
“Vetëm 9.000 euro mora ndihmë nga shteti. Ato nuk janë të mjaftueshme për t’u bërë shtëpia. Për këtë arsye më ndihmuan vëllezërit dhe shpresoj se do të arrijmë ta kthejmë shtëpinë siç ka qenë më parë”, thotë Isa Lutfija.

Kryetari i Bashkësisë Lokale i Tode Mendollit, Shaban Demiri, thotë se gjendja është normalizuar dhe se shpreson se së shpejti rruga “Pero Ilievski” do t’i kthehet jetës normale, siç ka qenë para nëntë majit. Megjithatë, shton Demiri, në lagje ende po ndihet frikë. Si shembull e përmendi aksionin e fundit policor kur popullata përsëri qe shqetësuar.

“Një veturë policore të kalojë, shumë shpejt ndihet trazirë dhe pasiguri. Apo, mos thëntë Zoti, ndonjë helikopter të fluturojë këtu, të gjithë pyesin se çfarë po ndodh. Atëherë kur kishte aksion, 3 orë më kanë telefonuar fqinjët dhe më pyesnin se çfarë po ndodhte”, shtoi Demiri.

Përndryshe, pas 28 orëve trazira në Lagjen e Trimave, qenë qëlluar 128 familje dhe shkatërruar 66 shtëpi. Qeveria fillimisht të dëmtuarve u ndau ndihmë prej 100.000 denarësh, pas së cilës një komision profesional shqyrtoi objektet dhe pas vlerësimit iu paguan mjete për rindërtim të shtëpive.

https://www.youtube.com/watch?v=qflUXzkrXe4

Leave a Reply

Your email address will not be published.