Lajmet e fundit

LAJME Përballja me migrimin rrezikon Kosovën edhe më 2016

Në fundin e vitit 2014 dhe në fillimin të vitit 2015 shumë qytetarë të Kosovës ia mësyn shteteve evropiane duke migruar ilegalisht me shpresën se do të siguronin një jetë më të mirë për ta dhe familjet e tyre.

Por kjo shpresë e tyre që në fillim u shua pasi shtetet perëndimore vazhdimisht përsërisnin se Kosova është një vend i lirë dhe për qytetarët e saj nuk do të japin azil.

Sipas disa hulumtimeve konsiderohet se numri i kosovarëve që lëshuan Kosovën në fundin e vitit 2014 dhe fillimin e vitit 2015 shkon në rreth 110 mijë.

Statistikat e institucioneve tona flasin se gjatë vitit 2015 në Kosovë janë kthyer 17 mijë persona. Këtë e pohon për KosovaLive edhe Valon Krasniqi, drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Valon_Krasniqi

“Që nga janari e deri tash numri i personave të kthyer në Kosovë ka shkuar në afër 17 mijë. Gjatë këtij viti më së shumti ka pasur të kthyer nga Gjermania, pra rreth 11 mijë persona e më pas edhe nga shtetet e tjera”, thotë Krasniqi.

Por ai bën të ditur se gjatë këtij viti ka pasur edhe të tillë që kanë kërkuar azil në Kosovë. Ata kanë qenë kryesisht nga Siria, Iraku dhe Palestina. Sipas tij, numri i tyre shkon në 70.

“Në Kosovë kanë kërkuar azil këtë vit 70 persona të cilët kanë qenë kryesisht nga Siria por ka pasur edhe nga Iraku dhe nga Palestina. Ata janë vendosur në Qendrën për Azil, mirëpo shumica prej tyre e kanë lëshuar Kosovën, sepse azilkërkuesit në Kosovë nuk qëndrojnë pasi Kosovën e shfrytëzojnë si vend transit për të shkuar në vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian. Edhe pse ne i regjistrojmë dhe i akomodojmë këtu dhe u sigurojmë kushte të mira, ata shkojnë në vende më të zhvilluara dhe nuk qëndrojnë gjatë në Kosovë.

Qendra e Azilit është e hapur. Ata në momentin që pajisen me një letërnjoftim për azilkërkues kanë të drejtë të lëvizin në gjithë territorin e Kosovës dhe ndërkohë nuk kthehen dhe e lëshojnë vendin”, ka shtuar ai.

Analistë dhe njohës të rrethanave theksojnë se në Kosovë nuk ka ndërruar asgjë në aspektin pozitiv nga fundi i vitit 2014 dhe fillimi i vitit 2015 kur Kosova u ballafaqua me fluksin e paparë të qytetarëve të saj që e braktisnin vendin dhe ia mësyn shteteve evropiane me shpresë për një jetë më të mirë, prandaj rreziku që Kosova të përballet edhe në vitin 2016 me migrimin është i madh.

Në një mënyrë një gjë të këtillë e ka paralajmëruar edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi, me deklaratën e tij kërcënuese pas konstatimit të Bashkimit Evropian se Kosova nuk i ka përmbushur ende kushtet për liberalizimin e vizave.

Ai i ka rikujtuar Bashkimit Evropian se një vonesë e tillë për liberalizim të vizave do të mund të ndikonte negativisht që qytetarët e Kosovës sërish të marrin rrugën e migrimit ashtu siç kishin bërë vitin e kaluar dhe fillimin e vitit 2015.

Hashim-Thaçi-dhe-Isa-Mustafa

“Kjo vonesë në të njëjtën kohë paraqet edhe rreziqe të ndryshme edhe për Kosovën, së pari duke nxitur elemente të radikalizmit edhe fetar për të shfrytëzuar këtë vonesë evropiane në raport me Kosovën, po shfrytëzohet edhe prej ekstremizmit politik me idetë por edhe me projektet që s’janë në përputhshmëri me vlerat euroatlantike të Kosovës dhe në të njëjtën kohë po rrezikon edhe migrimin e qytetarëve drejt kryeqendrave të Evropës dhe pastaj Kosova për këtë të paguaj çmim”, kishte deklaruar Thaçi me 16 dhjetor të këtij viti, një ditë pas publikimit të Raportit të Komisionit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Edhe pse shumë nga analistët e çështjeve aktuale deklaratën kërcënuese të Thaçit e kanë konsideruar më shumë për marketing të tij të brendshëm dhe për justifikim të dështimit të tij, pasi me afatet e premtuara për liberalizim të vizave ai ia huqi për më shumë se pesë vjetë, ata nuk e përjashtojnë mundësinë dhe rrezikun që Kosova të përballet edhe në vitin 2016 me migrimin.

Një rrezik të tillë e shohin edhe qytetarët e Kosovës, të cilët thonë se shpresë e vetme u ka mbetur që sërish të marrin rrugën e t’u mësyjnë shteteve evropiane madje edhe ata që u përzunë nga atje. Shumë prej atyre që u kthyen dhunshëm janë shumëfish më të varfër pasi shitën tokë e pasuri që kishin për të ikur jashtë vendit.

Gani Hasani, qytetar nga Prishtina, thotë për KosovaLive se në muajin shkurt ia kishte mësyrë Gjermanisë ku kishte qëndruar atje rreth 6 muaj dhe ishte kthyer me forcë për në Kosovë.

Ai është këmbëngulës se do të tentojë që sërish të marrë rrugën e migrimit pasi këtu nuk sheh asnjë perspektivë për jetesë.

azil-gjermani-640x420

“Nuk shoh asnjë tjetër shpresë këtu. Si t’i mbajë 8 anëtarë të familjes? Të gjithë fëmijët i kam në shkolla, pa kurrfarë të ardhurash. Askujt nuk intereson se a kemi për bukë, a jo. Do të bëj çmos për të provuar sërish të dalë jashtë. Ndoshta do Zoti e bëhet mirë. Sa për udhëheqjen tonë, po shihet, askush nuk është duke menduar për qytetarët e shkretë”, thotë ai për KosovaLive.

Por përfaqësuesit evropian disa herë kanë përsëritur se vendet e BE-së nuk u japin azil kosovarëve, pasi në Kosovë nuk ka luftë dhe këtu mund të jetohet.

Sipas tyre, sistemi i azilit në Bashkimin Evropian është i planifikuar për njerëz që vijnë nga zona të luftës, për njerëzit që vijnë nga vende ku ata janë të përndjekur dhe ku nuk mund të jetojnë.

Vendet evropiane konsiderojnë se Kosova nuk ka një situatë të tillë, nuk është zonë e luftës dhe vështirësitë socio-ekonomike nuk janë arsye për azil.

Leave a Reply

Your email address will not be published.