Lajmet e fundit

Lajmërohet edhe një këshilltar i Hashim Thaçit. Fajëson opozitën për dështimin në UNESCO

Ndaj dështimit të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, ku opozita po konsideron se i tërë faji është i Hashim Thaçit, ka reaguar njëri nga këshilltarët e këtij të fundit. Abelard Tahiri, këshilltar politik i ministrit të Jashtëm, ka theksuar se është pikërisht opozita ajo që ka bërë që të dështoj ky proces.

Ky është shënimi i tij i plotë në Facebook:

E dhimbshme kjo arroganca e Lëvizjes Vetëvendosje si dhe hipokrizia e tyre karshi shtetit të Kosovës.

Sa për sqarim, në lidhje me UNESCO-n, ka qenë pikërisht aktiviteti i Visar Ymerit dhe i partive opozitare në përgjithësi një nga shkaqet që shumë shtete ndryshuan mendje kur u desh të votojnë për pranimin e Kosovës në UNESCO. Për shkak të profesionalizmit dhe ruajtje së raporteve diplomatike nuk mund t’i publikoj notat verbale të disa shteteve, përkrahëse të Kosovës, që ishin përcaktuar të votojnë për Kosovën, kishin filluar të ndryshojnë mendjen mu për shkak se dhuna kishte filluar të instalohet si mjet politik në Kosovë. Pra, përveç fushatës raciste të Serbisë, ishte edhe gazi lotsjellës i Visar Ymerit dhe kolegëve të tij që bëri një numër të vendeve që të ndryshojnë qëndrimin dhe në fund të abstenojnë.

Visar Ymeri i cili bashkë me bashkë-partiakët e tij çdo ditë cenon Republikën e Kosovës, që sulmon çdo institucion të saj, që nuk respekton himnin e saj, që nuk i njeh simbolet e saj, që bllokon punën e institucioneve të saj, nuk mund të shtiret se po e mbron Republikën.

Për fat të mirë, dhe që është më e rëndësishmja, mazhoranca parlamentare, shoqëria civile dhe e tërë shoqëria janë ata që vërtetë po e mbrojnë Republikën nga kërcënimi që i vjen nga anarkistët, të korruptuarit dhe “reketashët”.

P.S.

Sa për korrektësi, kushdo që dëshiron të vërtetojë saktësinë e deklaratës time për notat verbale mund të drejtohet tek zyra ime në MPJ ku do t’i mundësohet t’i shohë dhe të bindet edhe vet se sa rëndë dhe me frikë po përjetohet jashtë Kosovës sjellja e opozitës në vend.

Leave a Reply

Your email address will not be published.