Lajmet e fundit

Lajmërohet Lutfi Haziri: Javën tjetër e vlerësojmë koalicionin me AAK-në!

Ndaj raportimit të Gazetës Blic se një pjesë e LDK-së po kërkon prishjen e koalicionit me AAK-në në Gjilan, për shkak se kjo parti po e mbështet protestën e opozitës, e cila po e kundërshton marrëveshjet e nënshkruar me Serbinë dhe me Malin e Zi, ka reaguar Lutfi Haziri.

I pari i LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri i ka thënë Gazetës Blic se javën tjetër bëhet vlerësimi i koalicionit.

“Nuk është e vërtetë. LDK po punon në agjendën e punës për përmbylljen e vitit. Sot, në rend punë është Arsimi. Sa i përket koalicionit, javën tjetër bëhet vlerësimi!”, ka thënë ai për Gazetën Blic.

Gazeta duke u thirrur në burime brenda LDK-së në Gjilan, ka raportuar se disa anëtarë të Kryesisë së kësaj partie në atë degë dhe disa nëndegë po kërkojnë prishjen e koalicionit me AAK-në, për shkak se sipas tyre, këta të fundit po luajnë me dy karta “në njërën anë janë në qeverisje me LDK-në, e në anën tjetër po i kundërshtojnë marrëveshjet që i ka nënshkruar qeveria qendrore”.

—-

Koalicioni LDK- AAK në Gjilan, afër prishjes. Hesht Luta!

Qeverisjes ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Gjilan duket se po i vjen fundi. Shkak thuhet të jetë protesta e nesërme e opozitës në Gjilan, në kundërshtim të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe dhe për Demarkacionin.

Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime brenda LDK-së në Gjilan.

Sipas këtyre burimeve, një pjesë e anëtarësisë së Degës dhe disa nënkryetar të kësaj dege po kërkojnë prishjen e koalicionit, për shkak se sipas tyre, AAK në Gjilan po luan përmes dy kartave.

“Si arsye që kjo pjesë e anëtarësisë po kërkon prishjen e koalicionit, ka të bëjë me atë se AAK në njërën anë është në koalicion ne nivel lokal me LDK-në, e në anën tjetër po e kundërshton LDK-në në nivel qendror”, ka theksuar ky burim për Gazetën Blic.

Dega e LDK-së në Gjilan e drejtuar nga Lutfi Haziri, sot pritet që nga ora 17:00 të mblidhet, ku ndër të tjera mund të diskutoj edhe për mundësinë e rishikimit, apo prishjes së koalicionit me AAK-në.

Gazeta Blic ka provuar gjatë ditës që të kontaktoj me kryetarin e Komunës së Gjilanit, dhe njëherësh kryetar i LDK-së në këtë degë, Lutfi Hazirin, mirëpo ky i fundit nuk është lajmëruar as në thirrjet e as në SMS-të e redaksisë.

Partitë opozitare kanë paralajmëruar një protestë masive për ditën e nesërme, pikërisht në komunen e Gjilanit, në kundërshtim të dy marrëveshjeve, asaj për Asociacionin e Komunave Serbe dhe asaj për Demarkacionin me Malin e Zi.

Gjatë ditës së sotme, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj përmes një videomesazhi u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së nesërme të opozitës.

“Qytetarë të Gjilani dhe të Anamoravës, të bashkohemi nesër në shesh të Gjilanit në ora 13:00 për të protestuar paqësisht kundër marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën. Shihemi nesër”, thotë Haradinaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.