Zëvendëskryeministri i vendit, dhe njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi derisa pak çaste para se të fillonte emisioni “Rubikon” në KTV, ku ishte i ftuar si mysafir, e kishte anuluar me arsyetimin se i kishte dalë një udhëtim i papritur, mirëpo Gazeta Blic ka marrë vesh se ai sonte ka qëndruar në Prizren.
Burime të sigurta të Gazetës Blic kanë bërë të ditur se ai ishte në Prizren, më saktësisht ai ishte në Restaurant “Ambienti”. “Thaçi bashkë me eskortën e tij ishte në Prizren”, tha ky burim.
Edhe një dëshmitarë, i ka konfirmuar Gazetës Blic në kushte anonimiteti se para Restaurant “Ambineti” në Prizren, pos veturës së Hashim Thaçit, janë parë edhe automjetet tjera përcjellëse të Hashim Thaçit.
Në anën tjetër, koha.ner raporton se ai ka udhëtuar urgjent për në Malin e Zi, derisa burime të portalit Koha.net bëjnë me dije se numri dy i ekzekutivit po qëndron atje për të marrë pjesë në një takim, ku po trajtohet çështja e demarkacionit në mes të Malit të Zi dhe Kosovës.
Nesër zëvendëskryeministri i vendit, Hashim Thaçi pritet që së bashku me “Shefin” e tij, Isa Mustafa ta kenë një takim me sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili do të qëndroj për pak orë në Kosovë.
Lajmin për mos pjesëmarrjen e Hashim Thaçit në emisionin Rubikon, e ka konfirmuar vetë drejtuesi i tij, Adriatik Kelmendi përmes një shënimi në Facebook.
“Të nderuar shikues, ju njoftojmë se emisioni i sontëm “Rubikon” në KTV nuk do të mbahet, meqë mysafiri i paralajmëruar, zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se i është dashur të bëjë një udhëtim të paparashikuar dhe urgjent jashtë Kosovës.
Kërkojmë mirëkuptimin tuaj.
Falëmnderit!” – thuhet në njoftimin e Adriatik Kelmendit, moderatorit të këtij emisioni, më të ndjekurit në Kosovë.