Analistët politikë, kanë vlerësuar se rritja e numrit të qytetarëve, të cilët janë të pakënaqur me punën e Kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, ka ardhur si pasojë e asaj që Kryeministri nuk ka punuar sa duhet në luftimin e varfërisë e papunësisë.
Siç shprehen ata, Kryeministrit i ka ndihmuar edhe fjalori të cilin e ka përdorur, për ta rritur këtë numër të të pakënaqurve. Përpos këtyre, arsye tjetër e kësaj situate mendojnë njohësit e çështjeve politike, është se qytetarët janë ndier të zhgënjyer nga mosrealizimi i premtimeve të tij.
Njohësi i çështjeve politike, Xhemal Ahmeti, ka thënë për Gazetën Blic, se që të bie popullariteti i Kryeministrit Isa Mustafa, kanë ndikuar disa çështje, ku hynë papunësia, varfëria e disa të tjera. Mirëpo, përpos kësaj, qytetarët po ndihen të mashtruar nga veprat e Mustafës, në krahasim me premtimet që ka bërë, mendon ai.
“Shkaku i rënies së popullaritetit të Kryeministrit dhe Qeverisë, mund të lexohet qartë në hierarkinë e problemeve, ku të anketuarit i paraqesin si më akutet: papunësia, varfëria dhe korrupsioni mbeten gropat e hapura, të cilat as kjo Qeveri nuk ka filluar t’i mbulojë. Shumë qytetarë, tashmë edhe kanë nisur të ndihen të mashtruar keq, sidomos nga Kryeministri aktual që premtoi qindra mijëra vende pune. Këto megjithatë, përbëjnë gjysmën e rënies së popullaritetit. Gjysma tjetër e rënies vjen nga “sukseset” e kësaj Qeverie në politikën e jashtme”, ka thënë Ahmeti.
Ai më pas ka shtuar, se Qeveria aktuale është ndër qeveritë me më të keqin aparat të komunikimit, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Siç mendon ai, numri i qytetarëve, të cilët do të shprehen të pakënaqur me Kryemnistrin do të rritet vazhdimisht, po qe se Qeveria nuk dëshmon që di të punojnë edhe brenda.
“Ajo nënshkroi disa marrëveshje, të cilat janë tepër të kontestuara brenda. Perceptim që ka të bëjë me mungesën e komunikimit nga ana e Qeverisë. Besoj se aktualisht është Qeveria me aparatin më të keq të komunikimit në rajon. Shtoja kësaj edhe qëndrimin Isa Mustafës, që edhe në triumfet më të mëdha duket i lodhur, indiferent, pa gjak, nuk është më ai gjatë zgjedhjeve plot eufori dhe me një retorikë të shkëlqyeshme. Rënia e kënaqësisë do të vazhdojë edhe më tej nëse Qeveria nuk dëshmon, se edhe brenda, dinë të punojë kundër papunësisë dhe korrupsionit”, ka përfunduar Xhemal Ahmeti.
Ndërsa, analisti Faik Krasniqi, mendon se përpos punës jo të mirë të Qeverisë, në këtë çështje ka ndikuar edhe fjalori i ulët që ka përdorur Kryeministri dhe ‘arroganca’ e tij në drejtim të Opozitës dhe qytetarëve.
“Rënia e besueshmërisë për punën e kryeministrit, nga ana e qytetarëve, ka ardhur si rezultat i problemeve e akumuluara prej pasluftës: mosmenaxhimit të mirë të situatave, fjalorit të tij të ulët, gjuhës së ashpër dhe arrogancës së tij kundrejt qytetarëve dhe partive opozitare. Por edhe puna e kësaj Qeverisë Mustafa në këto 10-11 muaj qeverisje, ka qenë tepër e zbehtë dhe joshpresëdhënëse, por në përgjithësi kjo klasë politike në Kosovë është joshpreshëdhënëse për këtë vend, e papërmisueshme dhe arrogante”, ka thënë ai për Gazetën Blic.
Sipas tij, kjo klasë politike duhet ndërruar, pasi nuk është opsioni i duhur për Kosovën.
“Prandaj, puna e Qeverisë Mustafa, tregon qartë se kjo klasë politike nuk është alternativë për shtetin e Kosovës dhe zhvillimin e saj, por vetëm vazhdimësi e keq-qeverisjeve të mëhershme, të cilët e kanë sjellë Kosovën dhe qytetarët e saj në këtë gjendje e rëndë. Dhe për këtë, ka vetëm një zgjidhje; të dorëhiqet kjo Qeveri, të bie kjo klasë politike kriminale dhe mafioze dhe të krijohet një alternativë e re politike. Përndryshe, kjo Qeveri dhe kjo klasë politike në përgjithësi, janë duke na dërguar drejt ferrit”, ka përfunduar Faik Krasniqi.
UNDP dhe USAID kanë lansuar Pulsin Publik, ku thuhet se në mars të këtij viti, rreth 24 % e qytetarëve shpreheshin të kënaqur me punën e Kryeministrit, kurse tash, ky numër i tyre, ka rënë në 15 %./GazetaBlic.com/