Lidhja Demokratike e Kosovës, përkatësisht pesë degët e saj në Prishtinë kanë formuar shtatë komisione të cilat do të mbikëqyrin punën e kryetarit të Prishtinës dhe do të raportojnë për parregullsitë që pretendojnë se po bëhen në Prishtinë nga kryetari Shpend Ahmeti.
Komisionet u formuan gjatë një mbledhje që mbajti dje Kolegjiumi i pesë Degëve të LDK-së në Prishtinë i kryesuar nga kryetari i Degës së Parë, Ismet Beqiri.
Në këtë takim janë konstituuar shtatë komisionet dhe kryesitë e tyre, komisione këto të cilat do të funksionojnë në kuadër të Kolegjiumit të pesë Degëve të LDK-së në Prishtinë.
“Komisioni për Informim, për Arsim, për Kulturë, Rini dhe Sport, për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Komisioni për Planifikim,Urbanizëm, dhe Kadastër, Komisioni për Ekonomi, Buxhet , Financa, Bujqësi, Zhvillim Rural dhe komisioni për Shërbime Publike, Ambient dhe Infrastrukturë”, janë komisionet që janë formuar gjatë kësaj mbledhje.
Në një komunikatë për media të LDK-së, thuhet se në këtë takim është treguar një interesim i madh për formimin e këtyre komisioneve, të cilat do të funksionojnë në kuadër të kolegji umit.
Edhe në këtë takim thuhet se nga pjesëmarrësit u vlerësua se pushteti aktual në Komunën e Prishtinës udhëhequr nga Vetëvendosja, nuk është duke punuar aspak në interesin e qytetarëve të Prishtinës si dhe për zotimet që i kanë dhënë.
“Përkundrazi, në veprimet e tyre në të gjitha sferat e jetës në Komunën e Prishtinës janë duke u dëmtuar interesat e qytetarëve. Fatkeqësisht kësaj po i prinë kryetari i qytetit, Shpend Ahmeti, i cili më së paku po sillet si kryetar i Prishtinës. Ai po vepron si militant i “Vetëvendosjes” dhe po i prinë dëmtimit dhe shkatërrimit të qytetit të Prishtinës me mos punë dhe me pjesëmarrje aktive në protestat e dhunshme, të cilat po e dëmtojnë rëndë qytetin e Prishtinë”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
“Komisionet e konstituara në vazhdimësi do të informojnë, secili nga fusha e vet, për gjithë këto parregullsi, lëshime, shkelje ligjore, dëmtim të buxhetit k omunal si dhe me veprime të pa përgjegjshme të këtij pushteti komunal të udhëhequr nga “Vetëvendosje” dhe kryetari Shpend Ahmeti”, thuhet tutje në komunikatën e LDK-së.
Komisionet dhe Kolegjiumi në bashkëpunim dhe koordinim me Grupin e Këshilltarëve të LDK-së në Asamblenë Komunale të Prishtinës, do t’i koordinojnë të gjitha veprimet e tyre për informimin sa më të drejtë për të gjitha veprimet në Komunën e Prishtinës dhe për ofrimin e alternativave të mirëfillta në interes dhe dobi të qytetarëve të Komunës se Prishtinës.
Në komunikatën e LDK-së thuhet se anëtarët e komisioneve u zotuan se me përgjegjësi të madhe profesionale dhe partiake do ti kryejnë obligimet e tyre në interes të funksionimit të mirëfilltë të këtyre komisioneve nga fushëveprimtaria e tyre./Kosovanews/