Nga Kozara Kati
Albin, të gjithë të pamë kur të morën nga zyrat e VV. Një numër i madh policësh të shoqëruan duke të mbajtur nga të dy krahët. Ishe me një bluzë të zezë, disi të hollë për këto ditë dimri në Prishtinë. Ishe i qetë. Në fund të fundit, pse mos ishe ?! Policët që të rrëmbyen nga zyra mbase nuk kuptonin se ç’ishin duke bërë, thjesht zbatuan një urdhër të dikujt që të ka frikë.
Të kam njohur në Tiranë, më pate thënë që, me një të fryrë të bilbilit, do vije në protestat tona kundër importit të plehrave dhe armëve kimike. Dhe kështu bëre, ishe pranë nesh në të dyja betejat tona qytetare. Që të dyja i fituam së bashku.
A të kujtohet Peticioni? Ishe nga të parët që e firmose, ishte virtual, si të gjitha lëvizjet qytetare sot.
Sot ty të mbajnë aty, diku të izoluar, larg miqve të tu, larg turmave të qytetareve që të duan pranë që t’u flasësh ashtu si di të flasësh vetëm ti Albin.
Vetëm diçka harrojnë ata që urdhëruan ndalimin tënd, të gjithë ata që të duan e të besojnë janë aty në izolim po të lirë. Me ty dhe me shokët e tu Albin, VIRTUALISHT.
Tani je në dorë të kujt ? Nuk di nëse janë po ata që luftuan për një Kosovë të lirë dhe të pavarur ?!
*Autorja është ish e persekutuar politike në Shqipëri dhe vajza e një të dënuari politik të sistemit. Ajo ka qenë një kontribueset më të mëdhaja në fushën e viktimave të torturës dhe ngritjen e qendrës për rehabilitimin nga tortura. Po ashtu, znj. Kati ka qenë bashkëpunëtore e afërt e Nënë Terezës pas rënies së regjimit.
Aktualisht znj. Kati vijon të jetë një nga aktivistet më të pandalshme të shoqërisë civile në Republikën e Shqipërisë dhe ndërkombëtarisht. Nga kontributet e veçanta është peticioni për ndalimin e importit të plehrave dhe organizimit të nëshkrimeve qytetare për organizimin e Referendumit në Republikën e Shqipërisë.