Lëvizja për Bashkim përmes një komunikate për opinion ka shfaqur shqetësimet për krizën me të cilën po ballafaqohet aktualisht vendi, duke u bërë thirrje të gjitha subjekteve që të reflektojnë dhe të nisin një dialog brendashqiptar në të mirë të të ardhmes, transmeton Koha.net.
Kriza politike në Kosovë, thuhet në komunikatë, as nuk është e papritur, as nuk duhet ta habisë askënd! Që nga shpallja e pavarësisë, me të gjitha kufizimet, kushtëzimet e mbikëqyrjen e saj, Lëvizja për Bashkim ka paralajmëruar se Kosova do të shndërrohet në një shtet jofunksional. Të gjitha partitë politike pa asnjë përjashtim e kanë injoruar këtë fakt dhe këtë thirrje, duke u pozicionuar kështu në pozita ekstreme. Në njërën anë tri subjekte që pranojnë të shkojnë në bisedime krejtësisht të papërgatitura,kurse në anën tjetër një subjekt që i refuzon kategorikisht bisedimet. Prandaj e kemi një gjendje të tillë çfarë e kemi sot! Dhe do ta kemi edhe më të rëndë nëse vazhdojmë që interesin partiak e personal ta vendosim përmbi atë shtetëror e kombëtar!
Për të dalë nga kjo situatë duhet që të gjitha partitë të reflektojnë thellë! Duhet t’i lënë anash interesat partiake e t’u kthehen interesave kombëtare e shtetërore!
PDK, LDK, AAK e Nisma për Kosovën nuk duhet të mjaftohen me tërheqjen nga Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe! Ato, për hir të interesit shtetëror, duhet të reflektojnë shumë më thellë! Ato duhet ta rishqyrtojnë në tërësi qëndrimin e tyre ndaj bisedimeve me Serbinë, në mënyrë që të mos vazhdojmë të kemi marrëveshje të këqija!
LVV, për hir të interesit kombëtar e shtetëror, duhet të zhbarrikadohet nga qëndrimet ekstremiste e refuzuese ndaj bisedimeve për zgjidhjen e problemeve të mbetura me Serbinë, qëndrime të cilat i kanë ndihmuar shumë PDK-së, LDK-së e AAK-së për të na i sjellë këto marrëveshje kaq të dëmshme për Kosovën e mbarë kombin shqiptar!
Ende ka kohë! Ende ka mundësi! As anulimi i marrëveshjeve, as referendumi,e as zgjedhjet e reja, me qasje të vjetra, nuk do të prodhojnë rezultate më të mira! Nga kjo krizë, si dhe nga ato që na presin në të ardhmen,mund të dalim vetëm nëse ulemi i gjithë faktori politik shqiptar i Kosovës, bashkë me faktorin politik të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës e ta trajtojmë çështjen me seriozitetin që kërkon dhe si rezultat i kësaj dalim me një platformë të qartë politike për mbrojtjen e interesave kombëtare. Kjo është rruga e vetme! Çdo qasje tjetër nënkupton menaxhim të pasojave, e jo eliminim të shkaqeve. Në këtë mënyrë, këto dëme dhe pasoja mund të jenë afatgjata, madje edhe të pariparueshme!