Për një vit rresht kryeministri, Isa Mustafa, ka mbajtur në sirtar kërkesën për ta përmbushur një prej kushteve që i janë vënë Kosovës për liberalizim të vizave, e që ndërlidhet me funksionalizimin dhe pavarësinë e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP)
Ky kusht nuk është përmbushur akoma, e kosovarët mbesin të izoluar. Komisioni Evropian ka miratuar këtë muaj Raportin e fundit për përparimin e Kosovës në përmbushjen e kritereve nga Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, shkruan gazeta Koha Ditore.
Raporti bën të qartë se kanë mbetur 8 kritere, të cilat nuk janë përmbushur. Midis kryesorëve është ai për OSHP-në. Midis të tjerash, kërkohet sigurimi i pavarësisë vepruese të këtij organi, që ka funksionin e “gjykatës së tenderëve”.
Kërkohen edhe plane strikte të integritetit për të mbrojtur pavarësinë e OSHP-së, e edhe të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).
Në janar të këtij viti, kryeparlamentari Kadri Veseli i kishte shkruar kryeministrit Mustafa, me kërkesën që të funksionalizohej Bordi i OSHP-së, përkatësisht të iniciohej procedura ligjore në pajtim me nenin 100 pika 4 e Ligjit për prokurim publik.
Pra, që ky organ të plotësohej me një anëtar. Në ndërkohë, edhe një pozitë e anëtarit të Bordit kishte mbetur bosh.