Liderët e tri partive opozitare, Visar Ymeri i Vetëvendosjes, Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj i Nismës për Kosovën në një konferencë të mbajtur para Tetarit Kombëtar thanë se presin që në protestën e 9 janarit pjesëmarrja e qytetarëve të jetë masive.
Haradinaj me këtë rast bëri të ditur se protesta do të fillojë në ora 14:00, para Bibliotekës Kombëtare për të vazhduar para Qeverisë.
Ndërsa, Limaj i ftoi të gjithë qytetarët të marrin pjesë në protestë për t’i kundërshtuar siç tha ai marrëveshjet antikushtetuese.
Visar Ymeri nga Vetëvendosje tha se përmes protestës do të kundërshtohen të gjitha marrëveshjet antikushtetuese, ndërsa për mundësinë e një qeveri të ardhshme teknike, Ymeri tha se qeveria e ardhshme do të zgjidhet vetëm nga populli.