Kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka komentuar shortin e Euro 2016 dhe grupin A, ku Shqipëria do të ballafaqohet me Zvicrën, Francën dhe Rumaninë.
Por, Limaj më shumë është ndalur të një person, Ragip Xhaka.
Lexojeni postimin e plotë të Limajt në Facebook:
Ragip, suksese dhe shkëlqim Granitit në klub, e Taulantit në kombëtare
Shqipëria në një grup interesant në shumë drejtime. E para, ka shanca shumë të mira për ta kaluar grupin, e dyta është përballja me Zvicrën. Kjo përballje veç anës sportive në mënyrë ekzemplare zbërthen historinë e të kalurës së afërme të shqiptarëve.
Familjet e djemve tanë që luajnë për Zvicrën janë shembujt konkret për të na kujtuar se çfarë të kaluare, çfarë vështirësie, e me sa dhimbje janë detyruar t’i lëjnë vendlindjet e tyre për shkak të dhunës serbe, duke mos pas mundësi që t’ju sigurojnë fëmijëve të tyre një jetë të sigurt në atdhe. U detyruan në vitet e okupimit të Kosovës të largohen siç është rasti i Ragipit, babai i Taulantit e Granitit, i cili ishte aktiv në rezistencën, derisa regjimi serb i detyroj si shumë të tjerë të migrojnë në Zvicër, e që edhe nga Zvicra aktivisht punoi për lirinë e Kosovës.
E veçova Ragipin sepse e njoh dhe e di që ai dhe familja e tij kanë qenë të presekutuar dhe të angazhuar kundër regjimit serb, e me siguri edhe familjet e djemve tjerë pak a shumë kanë pasur të njëjtin fat, prandaj apeloj të të gjithë shqiptarët, nderoni dhe respektoni këta djem tanë që do luajnë për Zvicrën, mos i ofendoni, sepse ata meritojnë respektin tonë, veç tjerave edhe për atë që thash më lartë, se çfarë kanë kaluar familjet, prindërit e tyre.
Respekt për djemtë tanë në përfaqësuese të Zvicrës, por të gjithë shqiptarët në mbështetje të Kombëtares Shqiptare. Suksese Kuq e Zi!
F. L