Kryetari i NISMA-së, Fatmir Limaj ka treguar se nuk ka pranuar as ndërmjetësimin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, që ka qëndruar sot për vizitë në Kosovë.
Limaj ka shkruar në Facebook se i ka treguar Metës se janë duke u përndjekur nga pushteti dhe nuk pranojnë ftesa nga Mustafa e Thaçi pa u liruar deputetët dhe pa u anuluar marrëveshjet.
Ky është postimi i Limajt në Facebook:
Sot pata një takim miqësor me Kryetarin e Kuvendit të Rep. së Shqipërisë z. Ilir Meta, i cili ishte i interesuar të informohet më hollësisht për shkaqet që e sollën këtë situatë politike në vend, e po ashtu biseduam edhe si të dilet nga kjo krizë e thellë në të cilën është vendi ynë.
Pas një diskutimi miqësor e informues për shkaqet e kësaj krize në të cilën ky koalicion qeverisës e ka sjell vendin, unë po ashtu ia bëra të njohur z. Meta qëndrimin e opozitës së bashkuar se në Kosovë tashmë është instaluar pushteti policor nga Isa dhe Hashimi, se këta dy po shtypin zërin opozitar, po burgosin deputetë, po bastisin shtëpitë e deputetëve dhe po bastisin e po thyejn zyrat e partive opozitare.
I tregova z. Meta se ftesën e Isa Mustafës për dialog e vlerësojm si një hipokrizi. Para çdo ftese duhet së pari të lirohen të gjithë të burgosurit politik nga regjimi i tyre policor dhe pastaj reflektim për anulimin e marrëveshjeve të dëmshme për vendin.
F. L