Lajmet e fundit

Lista Serbe nuk do ta braktisë koalicionin (Video)

Qeveria e Kosovës ndodhet mes dy zjarresh. Përderisa tri partitë opozitare vazhdojnë të kundërshtojnë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Lista Serbe pjesë e koalicionit qeverisës kërkon formimin sa më të shpejt të Asociacionit.

Madje gjatë të dielës, ministri për Kthim, Dalibor Jevtiq ka thënë se nëse nuk respektohet marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të shqyrtojnë mundësin të dalin nga koalicioni.

“Një prej pikave të marrëveshjes për koalicion, mbi bazën e së cilës edhe kemi hyrë në Qeverinë e Kosovës, ka qenë edhe formimi i AKS-së dhe ne s’kemi çfarë të kërkojmë me partnerët që nuk respektojnë atë që kanë nënshkruar”, ka thënë Jevtiq për mediet në Beograd.

Se kjo është pikë e marrëveshjes për lidhje të koalicionit e thotë edhe Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal.

Por, sipas tij, Lista Serbe nuk ka ofruar as një deklaratë e asnjë qëndrim Qeverisë për daljen nga koalicioni.

Ai për Tribuna Channel thotë se ka kontaktuar ministrin Jevtiq dhe se ai i ka thënë se i janë keqinterpretuar deklaratat. Ministri Jevtiq, sipas tij, ka kërkuar vetëm që Asociacioni të formohet për të cilën gjë është e interesuar edhe Qeveria.

Kurse sa i përket vonimit të themelimit të Asociacionit, Gecaj ka shtuar se kjo nuk varet nga asnjëra palë ngase siç thotë ai nuk mund të veprohet derisa Gjykata Kushtetuese të jap vendimin e saj. Për këtë, sipas tij, është pajtuar edhe pala serbe por edhe Brukseli.

Leave a Reply

Your email address will not be published.